Familjet e përmbytura të vendosura në Konvikte, kërkojnë ndihmë

Maqedonia

Familjet e përmbytura të vendosura në Konvikte, kërkojnë ndihmë

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 18:52
Permbytjet ne Maqedoni

Në konviktin e studentëve Tome Stefanovski Seniç për momentin janë të vendosur 180 persona, shtëpitë e të cilëve ishin shkatërruar nga vërshimet. Pavarësisht se drejtuesit e konviktit i kanë mirëpritur, banorët thonë se në këto konvikte nuk mund të vazhdojnë jetën normale pasi nuk kanë mundësi të marrin ndihmë mjekësore por as ti përmbushin nevojat higjienike. Ata iu bënë apel autoriteteve që të gjejnë zgjidhje urgjente për problemin e tyre.

“Duhet ndihma me të vërtete pasi që ka njerëz të paralizuar, ka njerëz të moshuar, ka njerëz të cilët me të vërtete nuk kanë as ku të hynë, kemi nevojë për detergjente, mjete higjienike, nuk kemi ku ti lajmë teshat, janë do gjëra që duhet të vinë ti shohin ata që kanë pakës shpirt dhe ta paramendojnë vetën të jenë në vendin tonë se si do ta përjetojnë”, deklaroi Fatmir Gashi, banor nga zonat e përmbytura.

“Në të rrugës për Reshtak nuk jemi në listë , si është e mundur se ministri na ka çuar s’kemi as ku të rimë as ku të flemë, tash erdhi koha për në shkollë asnjë far ndihme s’kemi kemi ngelur askurrkund”, tha Refik Murati, banor nga zonat e përmbytura.

Drejtori i konviktit theksoi se këto persona do të mund të qëndrojnë në këto hapësira edhe 6 muaj por pranoi se këto familje kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe ndihma të tjera.

“Dua te them se ata aq janë vendosur këtu se nuk duhet të kenë frikë se me 1 shtator do të duhet të lëshojnë konviktin se për të vendos ministria për punë dhe politikë sociale. Ky popull ka nevojë për trajtim mjekësorë ka nevojë nga të gjithë traumat të ju kushtohet ma shumë rëndësi, kemi 7 persona që duhet të largohen që janë me paraliza që ne nuk mund të ju ofrojmë shërbime, atëherë institucionet përkatëse duhet ta kryejnë punën e vet” , u shpreh Lulzim Xhemaili, drejtori i konviktit Tome Stefanovski.

Shumë familje që pësuan nga përmbytjet janë të vendosur përkohësisht nëpër konvikte studentësh apo të familjarët e tyre. Ata presin kompensimin e dëmeve dhe rindërtimin e këtyre zonave me qëllim që të mund të kthehen nëpër shtëpi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat