Musa Xhaferi dhe Bekim Neziri duan të rikthehen në qeveri bashkë me LSDM-në

Maqedonia

Musa Xhaferi dhe Bekim Neziri duan të rikthehen në qeveri bashkë me LSDM-në

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 19:23
Ilustrim

Në prag të themelimit të qeverisë teknike, që duhet të udhëheqë Maqedoninë në 100 ditë e ardhshme, në rast se zgjedhjet mbahen më 11 dhjetor, vlime të reja kanë përfshirë radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Data e formimit të qeverisë teknike prite të caktohet të mërkurën (nesër)  në takimin e liderëve të katër partive më të mëdha parlamentare. Në rast se liderët dakordohen se zgjedhjet duhet të mbahen më 11 dhjetor, siç u morën vesh më herët, atëherë Qeveria e re me ministrat e LSDM-së, duhet të votohet më 1 shtator (të enjten).

Afrimi i datës kur në qeveri duhet të kthehen ministrat teknik të LSDM-së, ka ngjallur apetitet e disa ish ministrave të BDI-së, që të kthehen në qeveri, njoftojnë ekskluzivisht për Gazetën Lajm burime partiake. Marrim vesh se ata pretendojnë të kthehen në qeveri në të njëjtën mbledhje kuvendore, në të cilën do të votohen ministri i ri i Punëve të Brendshme dhe ai për punë dhe politikë sociale, që vijnë nga radhët e LSDM-së.

Para së gjithash, përmendet emri i Musa Xhaferit, i cili dëshiron të kthehet në postin e zv/kryeministrit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe i Bekim Nezirit, i cili dëshiron të rikthehet në postin e ministrit të ekonomisë. Pretendime të theksuara për rikthim në post ministror janë vërejtur edhe te Abdylaqim Ademi, por edhe disa ministra tjerë që u shkarkuan para se të zgjedhen ministrat aktualë që ka BDI në qeveri.

Burimet tona thonë se ata i kanë dërguar porosi direkte dhe indirekte kryetarit ët partisë, Ali Ahmeti, se BDI nuk duhet të kthejë “gardën e vjetër ministrore”, sepse nuk mundet të futet në zgjedhje me ministrat e rinj, që sipas tyre, nuk kanë “përvojën e mjaftueshme”.

Sa i përket Ahmetit, flitet se preferon variantin që në rast se kthen njërin, atëherë do t’i kthejë të gjithë ministrat paraprakë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat