MPB e Maqedonisë reagon për deklaratën e deputetit Enes Ibrahim

Maqedonia

MPB e Maqedonisë reagon për deklaratën e deputetit Enes Ibrahim

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 23:14
ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë ka reaguar ndaj deklaratës nga deputeti i Lëvizjes së Turqve në Maqedoni (THP) në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, Enes Ibrahimi, se “shtetasit turq përballen me probleme në pikat kufitare në Maqedoni”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklarate me shkrim nga Ministria e Brendshme theksohet se në konferencën për shtyp të Ibrahimit “jo vetëm që janë paraqitur absurditete absolute, por edhe ai vetë ka qenë kontradiktor.” 

“Në deklaratën e deputetit ai fillimisht thotë: ‘Qytetarët e Republikës së Turqisë të cilët rregullisht dalin nga kufijtë e vendit të tyre, i nënshtrohen një trajtimi të paligjshëm në pikat kufitare në Republikën e Maqedonisë, dhe pa asnjë shpjegim kthehen prapa’, për ta kundërshtuar më pas deklaratën paraprake dhe të thotë se ‘Është e rëndësishme të theksohet se shtetasit turq janë turistët më me numër në Maqedoni dhe kanë ndikim të rëndësishëm financiar në vendin tonë. ’ Si është e mundur që përderisa Ministria jonë e Punëve të Brendshme pa asnjë shpjegim i kthen shtetasit turq dhe nuk u lejon hyrje në Maqedoni, të njëjtit të jenë turistët më me numër në vendin tonë”, theksohet në reagimin e MPB-së. Përveç asaj që u tha më sipër, në vazhdën e reagimit ndaj shprehjeve të deputetit Ibrahim, nga MPB paraqiten të dhëna statistikore për vizitueshmërinë e Maqedonisë nga ana e qytetarëve turq, duke deklaruar më tej se arsyeja e vetme që një personi të mos i lejohet hyrja në vend është në qoftë se ai nuk i përmbush kërkesat përkatëse ligjore për hyrje. 

“Për mbështetjen e pohimeve të mëparshme flasin edhe shifrat se në periudhën nga janari deri në korrik të vitit 2016, në pikat kufitare në Republikën e Maqedonisë hyrje kanë realizuar një total prej 124.433 shtetasve turq, gjë që paraqet një rritje prej mbi 21,000 personave në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur Maqedoninë e vizituan 102,693 shtetas turq. Arsyeja e vetme që një personi të mos i lejohet hyrja në territorin e Republikës së Maqedonisë, është nëse nuk përmbushen kërkesat përkatëse ligjore. Ministria e Brendshme nuk ka ushtruar diskriminim, qoftë në bazë të gjinisë, racës, fesë, ngjyrës, apo të ngjashëm”, thuhet në reagimin me shkrim të MPB-së.

Deputeti i Partisë së Lëvizjes së Turqve në Maqedoni, Enes Ibrahim, sipas të cilit viteve të fundit trajtimi jo i mirë i shtetasve turq që vijnë për të vizituar Maqedoninë është tendencë, në një konferencë për media në Kuvendin e Maqedonisë apeloi deri tek ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Mitko Çavkov, që të ndërmarrë masa dhe të shqyrtojë, sipas tij, këtë qëndrim të paligjshëm ndaj shtetasve të Turqisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat