Përmbytjet, ngecje në pagesën e dëmshpërblimeve

Maqedonia

Përmbytjet, ngecje në pagesën e dëmshpërblimeve

Më: 2 shtator 2016 Në ora: 16:28
Përmbytjet në Maqedoni

Kompensimi i dëmeve për familjet e goditur nga vërshimet ka ngecur për shkak të mospërputhjes së të dhënave që i kanë dhënë qytetarët, thonë kompetentët. Problemi do të zgjidhet përmes noterëve.

“Vendosëm problemin ta zgjidhim përmes dhënies së deklaratës në noterë. Ministria e Drejtësisë për momentin organizon disa zyra të noterëve ku qytetarët falas i japin deklaratat e tyre se ata janë personat që janë prezantuar dhe mendoj se shumën e parë më së voni deri në fund të javës së ardhshme do ta marrin të gjithë qytetarët”, deklaroi zëvendëskryeministri, Vladimir Peshevski.

Kompetentët thonë se janë pastruar thuajse të gjitha shtëpitë, ndërsa për momentin bëhet asfaltimi i rrugës në Hasabeg.

“Janë pastruar më shumë se 95% e shtëpive ku ka pasur nevojë. Rrugët janë qind për qind të pastruara, janë bërë me tampon 95% e rrugëve. Tani mbetet edhe ndonjë rrugicë të bëhet me tampon dhe sot fillojmë me asfaltimin e rrugëve”, tha kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.

Deri mbrëmë, sipas Peshevskit, 1900 familje i kanë marrë kompensimet prej 500 eurove. Komisioni për vlerësimin e dëmeve punon për vlerësimin e plotë, por do të nevojiten 1 deri 2 muaj që të gjitha të dëmtuarit t’i marrin mjetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat