Kërkohet më shumë efikasitet nga Prokuroria Speciale

Maqedonia

Kërkohet më shumë efikasitet nga Prokuroria Speciale

Më: 5 shtator 2016 Në ora: 15:45
Prokurorja speciale, Katica Janeva

Prokuroria Speciale në Maqedoni ka vazhduar me hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale, por pavarësisht paralajmërimeve, as të hënën nuk e ka zyrtarizuar padinë e parë.

Ditëve të fundit në biseda, qoftë në cilësinë e dëshmitarit, apo personave të dyshuar, janë ftuar personalitete të ndryshme, zyrtarë, ish-zyrtarë, liderë të partive politike, kryetar komunash, afaristë e personalitete tjera. Ata janë marrë në pyetje lidhur me procedurat paraprake që janë hapur për mashtrime zgjedhore, presione ndaj gjykatësve, ndaj medieve, korrupsion, lidhur me projektin kundërthënës “Shkupi 2014”, e keqpërdorime tjera të pozitës zyrtare.

“Prokuroria Speciale është faktori kyç në veprimtarinë e mëtejme të partive në Maqedoni. Thellë jam i bindur se pa epilog të proceseve të nisura nuk mund të ketë zgjidhje të krizës politike, në të cilën ndodhet Maqedonia".

"Ky vend nuk mund të ketë politikanë të ndërgjegjshëm, nëse ata që kanë bërë krime nuk përgjigjen për veprat e bëra. Pra, Prokuroria Speciale duhet t'i vazhdojë hetimet dhe gjithçka të kalojë nëpër institucionet gjyqësore”, thotë Andrej Zhernovski, kryetar i komunës Qendër të Shkupit.

Zhernovski është një nga politikanët që është marrë së fundi në pyetje lidhur me raportet e revizionit që ka përgatitur komuna, të cilën ai drejton lidhur me keqpërdorime të shumta financiare për ndërtimet në kuadër të projektit qeveritar “Shkupi 2014”.

Ky projekt kishte nisur me paralajmërimin për shpenzimin e rreth 60 milionë eurove për ndërtimin e disa përmendoreve dhe objekteve administrative. Por, deri më tani, për këtë projekt, sipas disa vlerësimeve, janë shpenzuar rreth gjysmë miliardë euro.

Prokuroria Speciale duhet të veprojë sa më mirë, thonë ndërkohë ekspertë e çështjeve juridike. Ata konsiderojnë se kërkesa e tyre nuk duhet nënkuptuar si ndërhyrje apo presion në punën e këtij institucioni, por padi duhet të ketë pasi shumë afera, sipas profesorit të së drejtës penale, Bashkim Selmani, janë evidente, andaj dhe duhet të zyrtarizohen.

“Nëse në fazën paraprake ne kemi dhjetë lëndë dhe duke e ditur se kemi emra me funksione të larta, ato ose duhej të ishin zbardhur dhe të vendosej për to, ose duhej mbyllur si procese. Pra, prokuroria duhej të vepronte të bazë të afateve që ekzistojnë, ose të mbylleshin ose të mos zvarriteshin edhe më tej”, vlerëson Selmani.

Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të arsyetojë besimin e madh që kanë qytetarët e Maqedonisë në të, si institucioni i parë deri më tani që ka nisur hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra kriminale.

“Prokuroria Speciale mund të themi se as gjashtë për qind nuk e ka arritur atë që e prisnin qytetarët, opinioni në përgjithësi, apo edhe faktori ndërkombëtar. Domethënë nuk e ka arritur fuqinë morale, politike dhe funksionale të saj pasi ne nuk kemi as edhe një të arrestuar për krimet e bëra”, thotë Selmani për Radion Evropa e Lirë.

Hetimet e Prokurorisë po zhvillohen ndaj 55 personaliteteve të ndryshme dhe kanë filluar para një viti, me nisjen me punë të këtij institucioni që ka mbështetjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare. Të gjitha dyshimet bazohen në atë që njihet si aferë e përgjimeve të zbardhur nga opozita në shkurt të vitit të kaluar, me nisjen e publikimit të qindra bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror.

Prokuroria Speciale, ndërkohë, punën e saj e vazhdon nën kërcënime të vazhdueshme për shfuqizimit të Ligjit për themelimin e saj. Një nismë në Gjykatën Kushtetuese po mban pezull funksionimin e këtij institucioni, pavarësisht se puna e saj është e garantuar me marrëveshjen ndërmjet liderëve të partive që në rast të anulimit të ligjit, obligohen që brenda katër ditëve të gjejnë zgjidhje të re ligjore që do të garantonte vazhdimin e saj me punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat