Keqpërdorimi i Fondeve IPA, BE hetime në tre pista të dyshimta

Maqedonia

Keqpërdorimi i Fondeve IPA, BE hetime në tre pista të dyshimta

Më: 15 shtator 2016 Në ora: 15:34
Ilustrim

Provizioni për një tender të dhënë, 20 deri në 40 për qind nga marrëveshja e përgjithshme, shpallësi i tenderit, më së shpeshti qeveria ose fondet e ndryshme, kriteret i bëjnë në atë mënyrë që ato t’i përgjigjen firmës, me të cilën tanimë janë marrë vesh që ta fitojë tenderin, pohon një ekspert i krimit financiar për TV21.

Ai thotë se gjatë procedurës së tenderit, palët dakordohen për provizionin dhe për mënyrën se si do të rregullohet puna e tenderit.

Kryetari i Shoqatës për Hulumtime, Analiza dhe Zhvillim “Llupa e gjelbër”, Vane Cvetanovi thotë se ka më shumë mënyra për larjen e parave dhe nxjerrjen e tyre nga shteti.

“Ekzistojnë firma konsultuese të nivelit botëror, të cilët bëjnë regjistrimin e kompanive of –shor, regjistrojnë fatura dhe kompani fiktive. Paratë mund të nxirren ose prej xhirollogarisë ose mund të jepen në kesh”, u shpreh Vane Cvetanov, nga “Llupa e Gjelbër”.

Pas akuzave të opozitës për keqpërdorime të parave nga fondet e IPA-s për ndërtimin e autostradës Demir Kapi – Smokvicë, Zyra Evropiane kundër mashtrimit  OLAF, në muajin prill të këtij viti, nisi hetim për atë se si Maqedonia i ka shpenzuar paratë nga ndihmat e para- anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Hetimi duhet të konstatojë se a janë të besueshme dokumentet, siç është ai i Ministrisë së Financave që i është dorëzuar Qeverisë, në të cilin ministri i atëhershëm Zoran Stavreski, bën vërejtje se ka lëshime në punën e Drejtorisë së të Hyrave Publike, për shkak të cilave nuk mund të realizohet projekti që vlen me miliona euro, i financuar nga fondet IPA.

Sipas certifikatës bankare, mund të shihet se një shtetas grek në vitin 2004 disa herë ka marrë prej 20.000 deri më 120.000 euro në kesh nga filiali i “Stopanska Banka” në Negotinë.

Hetim për keqpërdorimin e fondeve IPA ka nisë edhe Prokuroria Publike e Maqedonisë. Dyshohet se fabrika dhe kombinate të bujqësisë janë furnizuar me pajisje të cilat nuk përputhen me standardet e përcaktuara. Sipas informatave të deritanishme, konsiderohet se vlera e dëmit është 200.000 euro.

Joana Avdani, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Bukuresht, për TV 21, thotë se në vitin 2013, në Rumani janë harxhuar 70 milionë euro për reklamimin e projekteve të financuara nga paratë e Bashkimit Evropian.

„E hulumtuam mënyrën se si janë shpërndarë ato para. Zbuluam se shumica e tyre, gati 90 për qind i janë dhënë ofruesit i cili ka ofruar çmimin më të lirë për shërbim. Kjo duket absolutisht joreale, sepse ofruesi me këtë, as nuk mund t’i mbulojë shpenzimet  e as të ketë profit”, shtoi Joana Avdani, nga Qendra për Gazetari Hulumtuese.

Që nga viti 2010 në Maqedoni, nëse bëhet ndonjë mashtrim me mjetet e Bashkimit Evropian, konsiderohet se është vepër penale. Sipas Kodit Penal, çdo individ që do t’i keqpërdorë paratë e Bashkimit Evropian, do të dënohet me gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Përveç kësaj, kompanitë, për të cilat do të konstatohet se kanë keqpërdorur paratë e fondeve IPA, do të përballen me dënime në para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat