Qytetarët e Maqedonisë detyrohen të thonë ”më ngushtë, më mirë”

Maqedonia

Qytetarët e Maqedonisë detyrohen të thonë ”më ngushtë, më mirë”

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 15:18
Ilustrim

Në përgjithësi në dekadat e fundit në Maqedoni shënohet ulje e hapësirë së banimit për metër katrorë të banesave dhe të shtëpive private. Ndryshimi i konceptit të jetesës dhe mentalitetit, ulja e natalitetit, faktori i mërgimit nga Maqedonia jashtë, por edhe nga fshati në qytet si dhe thellësia së xhepit, ndikojnë në uljen e hapësirës banuese.

Qytetarët e Maqedonisë më së shpeshti blejnë banesa dy deri tre dhomëshe gjatë përzgjedhjes së hapësirës së tyre jetësore për banim. Statistika e ndërtimit tregon se në Maqedoni në vitin e kaluar në mesatare dominon ndërtimi i banesave prej 60 metra katrorë dhe i shtëpive prej 106 metra katrorë. Të dhënat e Entit të Statistikës, por edhe përvojat e kompanive të ndërtimit dhe patundshmërive, tregojnë se në vitet e kaluara më së shumti ekziston interesimi për ndërtimin e banesave me hapësirë të vogël dhe të mesme, që ju sjellin edhe fitim më të madh kompanive që merren me këtë veprimtari.

Uljen e hapësirës mesatare banesore që ndërtohet në Maqedoni e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave në vitit 2002 madhësia mesatare e banesave të ndërtuara ka qenë 69 metra katrorë, kurse 13 vitet më vonë është zvogëluar për 9 metra katrorë, gjegjësisht në 60 metra katrorë.

Në përgjithësi në dekadat e fundit në Maqedoni shënohet ulje e hapësirë së banimit për metër katrorë të banesave dhe të shtëpive private. Ndryshimi i konceptit të jetesës dhe mentalitetit, ulja e natalitetit, faktori i mërgimit nga Maqedonia jashtë, por edhe nga fshati në qytet si dhe thellësia së xhepit, ndikojnë në uljen e hapësirës banuese në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e sektorit të ndërtimit.

“Dominimi në mesatare në Maqedoni i ndërtimit të banesave prej 60 metra katrorë dhe shtëpive prej diku 100 metra katrorë mund të shpjegohet me blerjen e banesave nga çiftet e reja si dhe të shpërnguljes nga fshati në qytet të popullatës në kërkim të një jetese më të mirë. Kjo nuk është pasqyrë vetëm e mundësisë materiale të blerësve, por edhe e ndryshimit të mënyrë së jetesës së popullatës, ku në mesatare në Maqedoni kemi filluar të kemi dominim të familjeve me një apo dy fëmijë, pra i uljes së natalitetit”, thotë afaristi i sektori i ndërtimit, Menderez Kuçi.

Sipas tij, nëse bëhet fjalë për qytetet si Tetova dhe Gostivarit, atëherë vërehet në treg se mërgimtarët preferojnë blerjen e banesave deri 60 metra katrorë, me qëllim që të kenë një pronë në vendlindje. Lidhur me ndërtimin e shtëpive në Pollog, Kuçi vlerëson se ngadalë edhe në këtë rajon zvogëlohet madhësia e shtëpive si rrjedhojë e ndryshimit të mënyrë së jetesës, ndarjes së djemve që më nuk jetojnë në një vend së bashku, për dallim prej më parë kur në një hapësirë të shtëpisë familjare vetëm shtohej një kat si hapësirë e banimit për pjesëtarët e tjerë të familjes.

Në ndërkohë përvojat e agjencive të patundshmërive tregojnë se në dhjetë vitet e fundit në mesatare në Shkup, si tregun më të madh të patundshmërive në Maqedoni, më së shumti kërkohen banesa prej 40-60 metra katrorë. Për këto banesa të vogla dhe me madhësi të mesme ekziston interesimi më i madh i blerësve, për shkak të fuqisë së tyre blerëse, dëshirës që të bëhen pronarë të banesës dhe njëherazi të mos ngarkohen shumë me pagesën, qoftë me para të gatshme apo me kredi.

Firmat që ndërtojnë në Shkup banesat i ofrojnë sipas nevojave të çifteve të reja, pasi 60-70 për qind e ofertave janë banesa deri 60 metër katrorë, me dy dhoma gjumi. Në vend të dytë për kah interesim janë blerësit nga jashtë Shkupit, që i blejnë banesa si investim apo për t’i dhënë me qira.

Sa i përket kostos apo çmimit të banesave në Maqedoni, ato lëvizin prej 600 deri në 1400 euro në varësi prej vendndodhjes së ndërtesës në qendër të Shkupit apo periferi, vendbanimeve të tjera mbarë Maqedonisë, afërsisë së shkollës, kopshtit, bankës, supermarketeve të mëdha, linjës së autobusit, katit të banesës, llojit të ndërtimit etj.

Ndryshe, lidhur me kërkesën për blerjen e banesave, analizat e Bankës Popullore tregojnë se vazhdon të ketë rritje të vazhdueshme solide të kredive banesore edhe në tremujorin e dytë të 2016-ës, që udhëzon në përforcimin e mëtejshëm të kërkesës për këtë lloj patundshmërive nga ana e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat