LSDM-ja piketon të pakënaqurit nga pushteti

Maqedonia

LSDM-ja piketon të pakënaqurit nga pushteti

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 22:53
Petre Shilegov

Përdorimi i gjuhës shqipe është i definuar me Kushtetutë, thotë për Alsat M, zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov i cili shton se VMRO-DPMNE përmes kësaj çështje po tenton të manipulojë me opinionin. Në Platformën e opozitës edhe kjo çështje trajtohet si një prej faktorëve mbi të cilën, mbështetet uniteti në vend.

“Është çështje që saktë është e rregulluar me Kushtetutë dhe sipas kësaj nuk mund të bëhet fjalë për dygjuhësi, që në masë të madhe rrejshëm po plasohet nga propaganduesit proqeveritarë. Shtylla e pestë e programit të LSDM-së është ndërtimi i një shoqërie të vetme, pasi Maqedonia një kohë të gjatë po ndërtohet mbi dy shtigje, të cilat ose janë paralele ose lëvizin në drejtime të kundërta”, deklaroi Petre Shilegov, LSDM.

Nga LSDM thonë se ata synojnë tërheqjen e të gjithë qytetarëve të cilët janë të pakënaqur nga kjo garniturë qeveritare, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Pikërisht në këtë drejtim janë përpjekjet tona. Sinjalet që i dërgojmë deri tek të gjithë qytetarët, duke inkorporuar në kryesinë e LSDM-së njerëz që nuk i takojnë komunitetit maqedonas. Bëhet fjalë për shqiptarë, boshnjak, myslimanë maqedonas, serbë dhe komunitetet tjera që jetojnë në Maqedoni e që janë pjesë e LSDM-së”, tha Shilegov.

Dygjuhësia në nivel shtetëror është tema e rregullt parazgjedhore rreth të cilës partitë vazhdimisht përplasen. VMRO-DPMNE u deklarua se është kundër zbatimit të dygjuhësisë në mbarë territorin e vendit, ndërsa deklarata e kreut të LSDM-së u interpretua si përpjekje për pazarllëk me këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat