Universiteti “Nënë Tereza”, asgjë konkrete përveç emrit

Maqedonia

Universiteti “Nënë Tereza”, asgjë konkrete përveç emrit

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 23:47
Pishtar Lutfiu

Pas premtimit të ministrit të Arsimit Pishtar Lutfiu se javën që vjen fillon me punë Universiteti “Nënë Tereza” ish ministra dhe profesorë universitarë nuk besojnë se një gjë e tillë është e mundur. Ish-ministri i Arsimit Nenad Novkovski, projektin për “Nënë Terezën” e konsideron si një mision të pamundur për të filluar me punë për këtë vit, pasi sipas tij nuk janë plotësuar kushtet elementare.

“Një punë e tillë komplekse siç është themelimi i një universiteti të ri, kërkon punë jashtëzakonisht të madhe për shumë vite e shumë muaj për çdo program, përzgjedhja e profesorëve dhe të gjitha me radhë. E gjithë kjo është tejet joserioze të merret një aktivitet për themelimin e universitetit i cili do të bëhej për afat kaq të shkurtër dhe para së gjithash akoma të premtohet se do të fillojë viti akademik, që do të thotë se nuk janë krijuar kushtet dhe aspak nuk do të duhej të mendohet të fillohet një aktivitet i tillë gjatë këtij viti”, deklaroi Nenad Novkovski, Ish-ministër i Arsimit.

Ndërkaq profesori universitar Osman Kadriu, bartjen e studentëve të UNT-së nëpër universitete të tjera e konsideron si kërcënim për autonominë e universiteteve,

“Ato hapësira nuk janë të mjaftueshme për ato universitete, e të mos flasim tani për studentët e Universitetit Nënë Tereza si qiraxhi të shkojnë në universitete tjera. Nuk do të ketë ligjërata kualitative, nuk do të ketë ushtrime dhe e gjithë kjo do të ndikojë që të mos kemi kualitet në arsim{, tha profesori universitar, Osman Kadriu.

10 milion denarëshin e parë për të nisur me punë “Nënë Tereza” Kadriu e konsideron qesharak

“Me këto mjete që tash janë të siguruara në buxhet nuk mund të finansohet një shkollë tetëvjecare në fshat, e lëre më universitet shtetëror në qendër të Shkupit”, tha Kadriu.

Sipas ekspertëve, një Institucion arsimor nuk duhet të jetë i varur nga një qeveri e caktuar apo politika të caktuara, pasi bëhet fjalë për një projekt afatgjatë që mbi të gjitha duhet të jetë në shërbim të dijes. Por në vend të kësaj, vazhdojnë ekspertët, partitë politike instrumentalizojnë këto institucione për përfitime afatshkurta politike, duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat