Më shumë magjistra sesa të diplomuar në Maqedoni

Maqedonia

Më shumë magjistra sesa të diplomuar në Maqedoni

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 12:59
ilustrim

Institucionet e arsimit të lartë po i zgjerojnë çdoherë e më shumë mundësitë e studimeve postdiplomike. Si studimet e shkallës master profesional (dy semestral), ashtu edhe studimet e magjistraturës shkencore (katër semestrale) janë të shumta për nga laramania e fushave të studimeve, por edhe për nga sasia e vendeve të rezervuara për studime të ciklit të dytë. Nëse dukur ishte domethënëse të regjistrosh diku studimet pasuniversitare dhe duhej shumë mund dhe kërkim shkencor derisa të fitosh titullin magjistër apo doktor shkencash, tani janë zbehur dukshëm këto vlera dhe ashtu si me diplomën universitar, nuk është e vështirë të arrish deri te titujt shkencor.

Të gjitha, kuptohet se shkojnë paralelisht liberalizmit pa kriter të arsimit të lartë apo akreditimit të programeve studimore në institucione publike dhe privatë të arsimit të lartë. Edhe për vitin akademik 2016/2017 universitetet ofrojnë numër jashtëzakonisht të madh vendesh për studime postdiplomike, sidomos të shkallës master. Kështu, për shembull, në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup, këtë vit ka 5827 vende për studime master, në Universitetin e Tetovës 1596 vende, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë 784 vende dhe kështu me radhë. Mirëpo, një gjë është sigurt – numri i të diplomuarve në ciklin e parë të studimeve (deri diplomike) është shumë më i vogël se sa numri i vendeve të planifikuara për studime në ciklin e dytë.

Pra, universitetet planifikojnë më tepër vende për studime master se sa kanë realisht numrin e të diplomuarve në vitin paraprak. Pavarësisht kësaj, ato çdo vit shkojnë me numër më të madh vendesh, të cilat nuk korrespondojnë thuajse asnjëherë me interesimin e atyre që janë realisht kandidatë për të vijuar këto lloj studimesh. Vitin e kaluar, në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup dështoi formimi i thuajse të gjitha grupeve të studimeve master për shkak të interesimit të vogël të kandidatëve. Në asnjërin grup nuk kishte nga 15 kandidatë që të mund të hapeshin grupet e këtyre studimeve, ashtu sikurse fatin e atij fakulteti patën edhe studime të tjetra në UKM dhe institucione të tjera.

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore (ITSHM) vjet nuk u formuan grupet e gjuhës dhe të letërsisë, pasi nuk kishte numër të mjaftueshëm kandidatesh. Drejtori Skënder Asani konfirmon se për vitin akademik 2015/2016 u formuan vetëm grupi i studimeve mastar i Historisë me marrëdhënie ndërkombëtare. Nga tre grupe me 90 vende të planifikuara, në ITSHK mezi u formua njëri grup, ndërsa këtë vit nuk u hap konkurs për studime master. “Për vitin akademik 2016/20170 vendosëm të mos hapim studime të shkallës master, pasi planifikojmë të zgjerohemi vitin e ardhshëm, 2017/2018. Pra, dëshirojmë fillimisht të dëshmohemi me organizmin e mbrojtjes së magjistraturave nga vitet paraprake dhe pastaj të konkurrojmë edhe për studime të doktoratuërs. Planifikojmë gjithashtu që krahas studimeve, të cilat i kemi të akredituara deri në këto momente, të aplikojmë edhe me dy drejtime të reja; studime të trashëgimisë kulturore dhe marrëdhëniet shqiptaro-osmane”, deklaron Asani.

ITSHK nisi studimet master në vitin akademik 2014/2015, i vazhdoi të njëjtat edhe vitin tjetër, ndërsa këtë vit ka vendosur ti lë në pauzë të njëjtat me pretendimin për të rinisur vitin e ardhshëm. Në UKM, UT, UEJL dhe universitete të tjetra vijon ende afati për regjistrimin e kandidatëve për studimet master. Me gjithë interesimin e vakët deri tani, duket se universitetet nuk dorëzohen dhe përpiqen deri në fund të formojnë grupet, ose për studime të caktuara – të shkojnë në modelin e studimeve mentoriale. Në nivel shteti ka një tendencë sa i përket unifikimit të çmimeve. Kostoja e studimeve master shkon rreth 2000 euro, pavarësisht nëse janë institucione të karakterit publik apo privat, kurse studimet e doktoraturës rreth 5000 euro. /Koha/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat