Sanksionet i 'disiplinojnë' mediet maqedonase

Maqedonia

Sanksionet i 'disiplinojnë' mediet maqedonase

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 17:19
Ilustrim

Raportimet e medieve maqedonase muajin e fundit kanë shënuar përparime krahasuar me periudhën paraprake kur ishte regjistruar raportim i pabalancuar, gjuhë e urrejtjes, apo jo profesionalizëm në të gjitha segmentet e mbulimit të ngjarjeve qoftë politike, ekonomike, apo të jetës së përditshme.

Ndryshimi pason fillimin e punës së komisionit 'ad-hoc', organ ky i paraparë me marrëveshjen politike për monitorimin e punës së medieve, në mungesë të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për reforma në media.

Lulzim Haziri, anëtar i komisionit 'ad-hoc', thotë se në të gjitha raportet e deritanishme, me përjashtime të vogla, mediet kanë ndryshuar qasjen e raportimit.

“Besoj se mediet kanë filluar të jenë pak më të vetëdijshme, duke e kuptuar se një mënyrë e tillë e raportimit nuk është profesionale dhe nuk shihet me sy të mirë. Aq më tepër kur kjo çështje tani mbikëqyret dhe priten edhe sanksionet ligjore lidhur me këtë formë të raportimit."

"Vlerësoj se situata para një shtatorit dhe pas një shtatorit dukshëm ka ndryshuar, aq më tepër kur shqyrtojmë raportet mbikëqyrëse të muajit prill dhe të raporteve të tanishme. Atëherë, një televizion i kishte 24-25 shkelje, ndërsa tani ka 3,4 apo 5 shkelje të tilla”, thotë Haziri.

Ndryshimet në raportimet e medieve janë regjistruar edhe nga ekspertët e komunikimit.

Mirçe Adamçevski, nga komisionit për ankesa pranë Këshillit të Etikës, thotë se rezultatet e monitorimit një mujor tregojnë se mediet dinë si të raportojnë profesionalisht, por disa prej tyre këtë nuk e kanë bërë për shkak të mungesës së vullnetit dhe dirigjimit nga qendra të caktuara.

“Analizat e bëra nga ana e këtij organi tregojnë se mediet tona mund të raportojnë në mënyrë të balancuar, por që kjo të ndodhë, ato duhej të detyroheshin në një gjë të tillë."

"Se a janë në pyetje gjobat apo sanksionet e tjera të parapara, nuk mund ta them, por me rëndësi është të konstatojmë se ato mund të punojnë në mënyrë profesionale, madje këtë mund ta bëjnë edhe ato media që gjithmonë kanë qenë në shënjestër të kritikave të ndryshme”, thotë Adamçevski.

Sefer Tahiri, profesor në fakultetin e shkencave të komunikimit pranë Universitetit të Evropës Juglindore, pret që mediet ta vazhdojnë këtë lloj raportimi edhe në të ardhmen. Ai vlerëson se mediet nuk frikësohen nga gjobat që mund t'u shqiptohen, por më tepër kanë frikë nga reagimet e opinionit.

“Vlerësoj se raportimi i medieve ka ndryshuar për dallim nga e kaluara dhe kjo më tepër është rezultat i punës së komisionit 'ad-hoc' sesa i agjencisë së medaljeve, që vazhdon të jetë një organ politik. Mendoj se kjo mund të jetë edhe nga frika e sanksioneve, pasi gjobat arrijnë deri në 4 mijë euro. Por, kjo vlerësoj se më shumë është si pasojë e faktit se dënimi moral apo publik nga ana e qytetarëve është më i madh”, thotë Tahiri.

Çështja e medieve ka qenë një ndër pika kryesore të mospajtimeve mes partive politike. Opozita kërkonte ndryshimin e gjithë strukturës së agjencisë së medieve, organit më të lartë për kontrollin e punës së medieve, ndryshime ligjore në çështjen e raportimit, reklamave qeveritare, gjobave, si dhe transformimin e transmetuesit publik, por ato janë refuzuar nga partitë në pushtet, duke ofruar zgjidhjen e tyre, që në fund bisedimet të përfundojnë me formimin e komisionit 'ad-hoc'.

Ndryshe, Maqedonia në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare është radhitur në grupin e shteteve me liri të kufizuar të shprehjes. (REL)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat