Dështon edhe takimi radhës për t’u ulur në një tavolinë partitë opozitare

Maqedonia

Dështon edhe takimi radhës për t’u ulur në një tavolinë partitë opozitare

Më: 15 tetor 2016 Në ora: 15:40
Ilustrim

Ka dështuar edhe një takim i radhës për t’i ulur në një tavolinë, partitë jashtë parlamentare shqiptare.

Herën e fundit dështoi thirrja e Lëvizjes BESA, ndërkaq sot as Shpëtim Pollozhani me Shoqatën e ish të Burgosurve Politik në Maqedoni, nuk arriti që bashkërisht t’i ulë partitë jashtëparlamentare shqiptare.

“Ftesës sonë iu përgjigjë, Abdulhadi Veseli dhe Ziadin Sela, të tjerët që nuk janë prezent nuk i akuzoj. Kemi indikacione që do të mbahet edhe një takim. Bashkimi i forcave politike në Mal të Zi dhe Preshevë, duhet të jetë një mësim për partitë tona jashtë parlamentare. Ne nuk kërkojmë më shumë, por vetëm të ulemi si vëllai me vëllanë”, tha kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani.

Pollozhani ka njoftuar se partitë tjera që nuk i janë përgjigjur ftesës, nuk kanë dhënë ndonjë arsye për mosprezencë.

“RDK nuk ka dhënë ndonjë arsye, UNITETI gjithashtu. Ndërkaq, nga personat jo-zyrtar të Lëvizjes BESA thonë se nuk kanë qenë të përgatitur për një takim të tillë”, deklaroi Pollozhani.

Kryetari i LR – PDSH-së, Ziadin Sela, tha se për të është më i rëndësishëm bekimi i shqiptarëve.

“Për të ndryshuar një sistem dhe shtet, i cili mbi 25 vite është drejtuar kundër shqiptarëve na duhet bekimi i gjithë shqiptarëve. Prandaj, LR – PDSH është e hapur me qëllim që bashkëpunimi opozitar të ndodhë duke e respektuar njëri – tjetrin”, theksoi Sela.

Sela ka çmuar, siç tha ai, lartë kontributin e Shoqatës së ish të Burgosurve Politik në Maqedoni.

Takimin e ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i PPD-së, Abdulhadi Veseli, i cili e ka cilësuar këtë takim si një fillim të mbarë për bashkimin e opozitës.

Përndryshe, rikujtojmë se ditë më parë dështoi edhe takimi i liderëve, të partive opozitare i cili pritej të mbahet në Shkup, i thirrur nga lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pasi që në këtë takim nuk erdhën, lideri i LR – PDSH-së, Ziadin Sela ai i partisë UNITETI, Gëzim Ostreni dhe i RDK-së, Vesel Memedi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat