Fshati Cërni Vërv po boshatiset nga dita në ditë

Maqedonia

Fshati Cërni Vërv po boshatiset nga dita në ditë

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 16:11
Cërni Vërv

Brenda pesë viteve, nga oxhaqet e shtëpive të fshatit Cërni Vërv të komunës së Studeniçanit nuk do të del më tym. Kjo për shkak se të njëjtat po zbrazen dhe rrezikojnë të mbeten të pa banuara. Kushtet e vështira për jetesë kanë bërë që në 10 vitet e fundit nga fshati Cërni Vërv të shpërngulet mbi 80 % e popullatës. Ata pak banorë që kishin mbetur në fshat dhe që i anketuam për Alsat thonë se ky fshat është lënë në harresë pothuajse nga të gjitha institucionet e vendit.

“Shpërngulja e banorëve prej këtij fshati është problemi me doktorët, me ambulancën. Ky është shkaku i parë që banorët u shpërngulën prej këtij fshati, shkuan në Batincë, Shkup, Saraj për shkak të mungesës së doktorëve, mjekëve. Për nji injeksion kushton rruga 1 mijë denarë me shku poshtë në fshat, plus injeksioni, për atë shkak u shpërngulën edhe banorët e këtij fshati.

“Fillimisht ka mungesë të ambulancës, rruga është duke u shkatërru ndërsa askush nuk vjen të na ndihmojë, këto partitë vijnë vetëm për vota a për ndihma nuk bëjnë asgjë. Për këtë shkak fshati ka shpërngulje, çdo vit nga 10-20 familje shpërngulen çdo vit, edhe fshati prej 1500 banorë ka mbet me 250 banorë”.

Problemi tjetër që ka shtyrë banorët për të lënë vendlindjen e tyre është edhe papunësia e të rinjve. Shumë prej tyre në kërkim të një jete më të mirë janë nisur drejt shteteve perëndimore. Siç thonë banorët, vizitorët e vetëm dhe të rregullt në këtë fshat, në çdo katër vjet janë partitë politike dhe kërkesat e tyre për të votuar.

“Është keq, shumë keq për rininë sot, shumica shkojnë në kurbet”.

“Kur vijnë votimet, nji muaj përpara pa ndal vijë na vizitojnë..na kanë lanë pa rrugë, pa kurgjë...prej 300 shtëpi kanë mbet 62 shtëpi”.

“Rruga nuk bën hiç, kemi mbet të humbur. Dëshirojmë një ndihmë të vogël, të na rregullojnë pak rrugën. A mendon me u shpërngul? Po, mendoj por kushtet nuk kemi, me mundësi shkohet”.

Ndërsa fshati nga dita në ditë po zbrazet, edhe numri i nxënësve të shkollës fillore në këtë fshat ka rënë dukshëm. Nëse para 7 vjetëve në këtë shkollë kanë mësuar mbi 200 nxënës, sot mësojnë rreth 50 nxënës në paralele të kombinura. Përgjegjësi i shkollës fillore Nefail Bilalli tha se pas 5 vjetësh edhe shkolla e fshatit Cërni Vërv rrezikon të mbyllet për shkak të mungesës së nxënësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat