Shpërbëhet Kuvendi i Maqedonisë, kjo është data e zgjedhjeve

Maqedonia

Shpërbëhet Kuvendi i Maqedonisë, kjo është data e zgjedhjeve

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 16:53
Kuvendi i Maqedonisë

Deputetët kanë votuar shpërbërjen e Kuvendit me 110 vota pro.

Me 72 vota “për” dhe 37 “kundër”, Kuvendi e ka votuar propozim – Buxhetin për vitin 2017.

Opozita ka kundërshtuar Buxhetin për vitin 2017, duke e cilësuar si Buxhetin më të keq që deri më tani është sjellë ndonjëherë.

Sipas, deputetit të PDSH-së, Orhan Ibrahimi, ky propozim – Buxhet është kryekëput antishqiptar dhe për këtë fajin e mbanë VMRO dhe BDI.

“BDI po shet interesat shqiptare, duke votuar Buxhet antishqiptar. Prej Likovë deri në Strugë po përballemi me infrastrukturë të pazhvilluar. Nuk ka asnjë investim kapital në zonat shqiptar. Është Buxheti i fundit ku bëhet plaçkitja e shqiptarëve. Pas 11 dhjetorit do të merret hisja që u takon shqiptarëve. Në mënyrë të njëjtë do të shpërndahet Buxheti nëpër të gjitha pjesët e Maqedonisë”, tha nga foltorja e Parlamentit, deputeti Ibrahimi.

Deputeti i LSDM-së Goran Sugareski, kujtoi qytetarët se Maqedonia është e tëra në kredi dhe se ky propozim – Buxhet për vitin 2017, siç tha ai, është gënjeshtra më e madhe që po u servohet.

“Çfarë keni bërë për 10 vjet? Na tregoni edhe sa do të rritet huamarrja? Na numëroni një gjë për të cilën nuk jeni në kredi? Gjithçka është në kredi. Këtë duhet t’ua tregoni qytetarëve dhe jo të lavdëroheni, sepse këtë që po e thoni, po e dëgjojmë tani e 10 vite”, tha Sugarevski.

Ndryshe, deputetët e VMRO – DPMNE-së, e kanë arsyetuar Buxhetin.

“Ky Buxhet garanton stabilitet dhe siguri në sektorin e biznesit. Nëse e duam të mirën e qytetarëve duhet ta votojmë këtë Buxhet”, deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Kërste Mukoski.

Tashmë Maqedonia është e vendosur, të gjithë deputetët e pranishëm në sallë njëzëri votuan shpërbërjen e Parlamentit dhe mbajten e zgjedhjeve më 11 dhjetor të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat