Rikthehet retorika nxitëse mes Shkupit dhe Athinës

Maqedonia

Rikthehet retorika nxitëse mes Shkupit dhe Athinës

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 20:57
Ilustrim

Greqia duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë në Hagë të vitit 2011 për mos bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare, ka thënë ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki. Ky reagim ka pasuar deklaratën e Presidentit të Greqisë, Prokopis Pavllopulos, i cili në një prononcim për mediat greke akuzonte Shkupin për irredentizëm.

“Pa respektimin e këtij obligimi, çdo gjë tjetër do të ishte përgënjeshtrim i vetvetes”, ka thënë shkurt shefi i diplomacisë, Poposki.

Ndërsa paraardhësi i tij, Antonio Milloshoski, në rrjetin social Facebook ka shkruar se “Maqedonia është greke, aq sa Alaska është ruse”.

“Kur bëhet fjalë për Maqedoninë, ajo që e dinë edhe ai, por edhe të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, është se vendimi i Gjykatës më Hagë është vendim ndërkombëtar, as grek, as maqedonas. Andaj në emër të së drejtës, është koha që Athina të zbatoj vendimin e Hagës”, ka shkruar Milloshoski.

Në anën tjetër, presidenti grek kishte deklaruar se Maqedonia ka qenë dhe do të mbetet greke.

“Ne kemi treguar qartë se duam marrëdhënie të mira fqinjësore, por kjo shkon përtej respektimit të historisë dhe institucioneve evropiane”, kishte thënë Pavllopulos duke i porositur autoritetet maqedonase se me pohime sipas tij “irredentiste nuk do të mund të bashkëngjiten në BE, sepse i shkelin parimet evropiane”.

Deklarata e presidentit grek nga ekspertët dhe njohësit e çështjeve politike komentohet në forma të ndryshme.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantike thotë se është porosi e qartë se kush duhet të udhëheq me Maqedoninë.

“Deklarata e Presidentit grek, kuptohet se është e ashpër. Unë vlerësoj se pas saj ka një porosi e cila i përcillet Maqedonisë se nëse vazhdohet që qeveria edhe më tej të udhëhiqet nga Nikolla Gruevski, i cili më së shumti ka irrituar grekët me disa veprime që kanë të bëjnë me historinë antike, me disa simbole e kështu me radhë, atëherë ekziston mundësia që të ashpërsohen raportet dhe definitivisht Greqia të betonon qëndrimin se nuk do të bëj lëshime lidhur me kompromisin me emrin”, thotë Ramadani.

Sipas tij, pala greke mund t’i zbatojë pengesat si shtet i cili ka të drejtën e vetos qoftë gjatë procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian apo në NATO, masë kjo që e ka praktikuar gjatë të gjitha përpjekjeve të Shkupit zyrtar qoftë për marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancë apo për marrjen e datës për hapjen e bisedimeve me BE-në.

Nga ana tjetër, disa nga njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që deklarata e kreut të shtetit grek të ketë edhe prapavija politike tani pas shpalljes së zgjedhjeve të përgjithshme në Maqedoni.

Pero Dimshoski, analist dhe ish sekretar shtetëror në sektorin për çështje evropiane thotë se reagimi grek vjen në kohën kur dy vendet sikur shprehin gatishmërinë e përmirësimit të raporteve të ndërsjella. Sipas tij, presidenti grek me një prononcim të tillë nxit edhe një herë retorikën nacionaliste në Shkup.

“Është e qartë se tani pas caktimit të datës së zgjedhjeve, Greqia përpiqet të ndikojë në rezultatin e votimeve, përkatësisht t’ia hedh topin atyre partive që veten e llogarisin si mbrojtëse të maqedonizmit, apo të kauzës kombëtare”.

“Thjesht bëhet fjalë për deklaratë për qëllime parazgjedhore ndaj së cilës duhej të reagonte Presidenti i shtetit dhe jo Ministri i jashtëm, apo fare të mos reagohet nëse kihen parasysh raportet e deritanishme mes dy shteteve që shkojnë në drejtim të përmirësimit të tyre”, ka thënë Dimshoski.

Këtë qëndrim, ai ka thënë se e mbështet në reagimin e palës greke e cila nuk dëshironte aplikimin e sanksioneve caktuar nga BE-ja ndaj Maqedonisë lidhur me ngjarjet e dy viteve të fundit.

“Pra mendoj se është një deklaratë e presidentit grek pas së cilës fshihen favorizime të caktuara”, thotë, Pero Dimshoski.

Raportet me Greqinë janë të tensionuar thuajse që nga pavarësia e Maqedonisë 25 vjet më parë. Athina konteston emrin e saj kushtetues dhe këtë shtet e njeh vetëm me emrin ish – Republika Jugosllave e Maqedonisë me të cilin edhe është pranuar në Kombet e Bashkuar.

Greqia kërkon emër të ri me përcaktim gjeografik dhe jo vetëm kaq, kërkon që ai të përdoret edhe në relacionet ndërkombëtare, në të kundërtën do të vazhdojë të kundërshtojë anëtarësimin e plotë të Maqedonisë si në NATO edhe në BE. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat