Pretendimet e bullgarëve për eshtrat e zbuluara në oborrin e Ali Ahmetit

Maqedonia

Pretendimet e bullgarëve për eshtrat e zbuluara në oborrin e Ali Ahmetit

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 11:09
Eshtrat

Pas gjetjes së një varri masiv në afërsi të fshatit Zajaz, i cili besohet se daton nga viti 1913, në mediat bullgare janë shfaqur raporte të ndryshme përmes të cilave pretendohet se eshtrat e zbuluar i përkasin bullgarëve etnik të cilët kanë luftuar kundër serbëve atë kohë, transmeton agjencia e lajmeve INA.

Ekspertët megjithatë i kanë hedhur poshtë informacionet si të pavërteta, edhe pse ata kanë konfirmuar se shumë bullgarë etnikë ishin viktima të ushtrisë serbe gjatë dy luftërave ballkanike në 1912-13.

“Maqedonia ka qenë një fushëbetejë në dy luftërat dhe dy kryengritjet. Ishte një kryengritje bullgaro-shqiptar kundër serbëve në këtë periudhë dhe të ndoshta këto viktima janë edhe bullgare, ” thotë profesor Svetozar Eldarov nga Instituti i Studimeve Ballkanike të Akademisë Bullgare të Shkencave.

“Ne kemi viktima të mjaftueshme bullgare në Maqedoni, por nuk mund të pretendojmë se ato që gjenden në Zajas ishin bullgarë,” shtoi ai për Birn, duke shpjeguar se fshati ka qenë gjithmonë i populluar nga shqiptarët etnikë.

Sugjerimet që varri masiv përmban mbetjet e bullgarëve të vrarë nga ushtarët serbë, u raportuan për herë të parë nga agjencia bullgare e lajmeve BGNES.

Profesori Bozhidar Dimitrov, nga Muzeut Historik i Bullgarisë, deklaroi se “në jug-perëndim Maqedonia është plotë varrezave masive, në të cilat bullgarët shtrihen”.

Por ai tha gjithashtu se ishte e pamundur që mbetjet njerëzore të gjetura në Zajas përkasin bullgarëve etnikë.

Ambasada e Bullgarisë në Shkup, është shprehur se nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet maqedonase në lidhje me rastin, e as ndonjë të dhënë mbi varre të tjera masive bullgare në Maqedoni.

Koordinatori i ekipit për ekshumim, Musli Musliu deklaroi se supozohet se mbetjet janë nga viti 1913, ndërsa trupat së pari janë djegur e pastaj hedhur në një pus të vjetër të braktisur.

Ai po ashtu theksoi se njerëzit, eshtrat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive, kryesisht janë banorë nga ai vend, dhe sipas njohurive të para, me siguri bëhet fjalë për 10 deri 60 njerëz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat