”Shqiptarët në listat e LSDM-së nuk do të ndikojnë tek elektorati shqiptar”

Maqedonia

”Shqiptarët në listat e LSDM-së nuk do të ndikojnë tek elektorati shqiptar”

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 17:33
Ilustrim

Zgjedhjet në Maqedoni po afrohen dhe sa më shumë rritet debati rreth shqiptarëve në listat e LSDM-së. Për këtë media ka biseduar me ish-nënkryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Besim Dogani dhe politikologun Xhenis Sulimani. Dogani thotë se shqiptarët nëpër listat e LSDM-së nuk do të ndikojnë në shkëputjen e votave të elektoratit shqiptarë. Nga ana tjetër Sulimani thotë se prezenca e shqiptarëve nëpër listat e LSDM-së do të thotë: mllef i shqiptarëve ndaj partive politike që i kanë votuar deri tani.

”Sa i përket LSDM-së dhe radhitjes së kandidatëve shqiptarë në pozitat fituese të listave zgjedhore të kësaj partie, ndoshta nuk do të ndikojë shumë në shkëputjen e elektoratit shqiptar, por nuk do të jetë edhe pa ndikim, sidomos nëse merret parasysh që sipas analizave jozyrtare, gjatë cikleve paraprake zgjedhore, përflitet se vetëm në njësinë zgjedhore numër gjashtë, LSDM ka arritur të grumbullojë mijëra vota nga votues shqiptarë; vetë fakti se tani në listat e tyre ka kandidatë shqiptarë më bën të besoj se numri i votave të LSDM nga votuesit shqiptarë ka gjasa të dyfishohet, gjë që do të ngarkojë fragmentimin e mëtejmë të votës shqiptare.

Por akoma më interesante se kjo besoj që është përfitimi i LSDM në aspektin e prezantimit (qoftë edhe të rrejshëm apo të qëllimshëm) pozitiv para opinionit ndërkombëtar, si një parti mendjehapur, e cila rreth vetes grumbullon anëtarë dhe përfaqësues të etnive të ndryshme, gjë që vlerësohet lartë sidomos në qarqet evropiane.
Dhe e fundit që në masë të madhe do të dobësojë pozitën edhe ashtu të dobët të shqiptarëve në shtëpinë Ligjvënëse, është marrja e eksluzivitetit mbi parimin e votimit të dyfishtë, sepse LSDM në radhët e veta me gjasë do të dominojë me anëtarë në Komitetin për marrëdhënie midis bashkësive etnike.” tha ish-nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Besim Dogani.

Xhenis Sulimani thotë se prezenca e shqiptarëve nëpër listat e LSDM-së do të thotë: mllef i shqiptarëve ndaj partive politike që i kanë votuar deri tani

”Numri i shqiptarëve në LSDM është simbolik dhe nuk paraqet kurrfar rreziku për partitë shqiptare. Po edhe ky numër simbolik, sipas meje është si pasojë e mllefit të shqiptarëve nga partitë shqiptare të cilat deri më tani kush më pak e kush më shumë i ka shërbyer VMRO-DPMNE-së, në momente kur diskriminimi i shqiptarëve ka kulmuar.
Konsiderojë se ky është një leksion për partitë e reja shqiptare se si duhet të sillen me elektoratin dhe të mësojnë se interesat partiake të mos e kaloj interesin e përgjithshëm, apo rëndësinë e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Nevoja parimore e shqiptarëve për momentin është mirëqenia sociale. Ky duhet të jetë edhe targeti i partive të reja.” përfundon Sulimani.

Dogani gjithashtu flet edhe për gjendjen e partive shqiptare në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit ”Fatkeqësisht duhet të konstatohet që partitë shqiptare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, fajin për dështimet eventuale dhe mos arritjen e joshjes së votuesve shqiptarë për të shfrytëzuar të drejtën e votës, dhe së këndejmi rënien eventuale të numrit të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë duhet ta kërkojnë tek radhët dhe veprimet e tyre.”

”E gjithë kjo ndërlidhet ngushtë me gabime të natyrave të ndryshme prej të cilave vlen të përmenden disa; fillimisht riciklimi i kandidaturave të njëjta në listat zgjedhore për disa cikle me radhë, mos bërja e dallimit midis deputetëve të cilët kanë dhënë aktivitet, mund dhe kanë prezantuar me dinjitet elektoratin e vet me ato që kanë luajtur rolin e statikëve teatror. Vënia në lista e kandidatëve të cilët nuk emërohen apo e marrin bekimin nga zonat e tyre elektorale, si dhe cilësia e ulët profesionale e kandidatëve në listat zgjedhore të partive shqiptare.

Situata bëhet edhe më e pafavorshme nëse merren parasysh platformat zgjedhore me shumë oferta të shterpëta, të pashtjelluara për sa i përket mënyrës se si të njëjtat do të vihen në zbatim dhe do të bëhen realitet.” përfundoi Dogani.

Përndryshe, fundjavën e kaluar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë publikoi listat e deputetëve ku figuronin Muhamed Zekiri dhe Gjylymsere Kasami. Që të dy janë në pozita që prej në letër kanë shumë mundësi të zënë karrike në Kuvendin e Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat