OEMVP-Aleanca për shqiptarët: Oda kërkon zbatim jo-selektiv të ligjeve

Maqedonia

OEMVP-Aleanca për shqiptarët: Oda kërkon zbatim jo-selektiv të ligjeve

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 14:18
OEMVP-Aleanca për shqiptarët

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në takimin e sotshëm me Aleancën për shqiptarët, prezantoi platformën e saj për zhvillim ekonomik.

OEMVP kërkon nga partitë politike të angazhohen për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë, gjegjësisht pranimin e masave të propozuara nga Oda

“Një ndër masat e propozuara është edhe rritja e pragut për investime në rajonet më pak të zhvilluara nga 1% e PBB-së, në të paktën 2 deri në 2.5% të PBB-së, si një masë urgjente vetëm për 5 vitet e ardhshme, sepse niveli aktual i investimeve është 0.03% e PBB-së.

Oda kërkon zbatim jo-selektiv të ligjeve, sidomos të atyre që janë në favor të zhvillimit të biznesit, p.sh Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal të Republikës së Maqedonisë dhe inkurajimin e bizneseve të vogla dhe të mesme duke nxitur sipërmarrjen në zonat rurale dhe përmes promovimit të grave në biznes. Investimet e huaja direkte të drejtohen në mënyrë të barabartë në të gjitha zonat e Republikës së Maqedonisë me qëllim të rritjes së barabartë në të gjitha qarqet e planifikuara të vendit.

Si masë për përkrahjen e sipërmarrësisë, Oda sheh edhe sigurimin e fondeve për “start-up” bizneset, duke mbështetur themelimin e “inkubatorëve të biznesit” prej buxhetit të shtetit dhe fondeve të jashtme si dhe sigurimi i mjeteve shtesë në formën e granteve për bizneset start-up.

Platforma e OEMVP-së për zhvillim ekonomik të Maqedonisë përfshin edhe reforma në fushat tjera si:

Institucionet publike dhe shtetërore;
Financa publike;
Punësime;
Zhvillimin e biznesit;
Legjislacion;
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
Sipërmarrësi;
Tatime;
Fonde alternative për financimin e biznesit;
Zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial;
Infrastrukturë dhe energjetikë;
Bujqësi;
Zhvillimi i turizmit e tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat