Administrata joefikase dhe e politizuar, ja çfarë premtojnë partitë politike

Maqedonia

Administrata joefikase dhe e politizuar, ja çfarë premtojnë partitë politike

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 00:09
Administrata

Administrata e tepërt, e partizuar dhe joefikase në Maqedoni shënohet si problem kyç me vite në raportet e BE-së.

Komisioni Evropian (KE) edhe këtë vit e ka përsëritur rekomandimin e kushtëzuar për anëtarësinë të Maqedonisë në Bashkimi Evropian (BE).

Sipas këtij raporti në administratën publike është vërejtur përparim i pamjaftueshëm të rekomandimeve të Komisionit të vitit të kaluar. “Në vend që të suspendohen, kontratat e përkohshme edhe më tej transformohen në të vazhdueshme”, pastaj kritikohet “shfrytëzimi i sektorit publik si instrument politike” ose “trysni ndaj të punësuarve në sektorin publik” ose “politizimi administratës publike në vitin zgjedhor”.

Nga ana tjetër në programet dhe platformat e partive politike premtohet zgjidhje e kësaj çështjeje, ku sipas tyre parashikohet sistemim dhe efikasitet i të njejtës.

“Rilindje me BESË” do të angazhohet për REDEFINIMIN e administratës shtetërore

Sipas partisë politike “Rilindje me BESË” problem serioz për administratën shtetërore janë të punësuarit shqiptarë nëpërmjet Sekretariatit për Marrëveshje të Ohrit të cilët me vite presin për një vend pune. Të punësuarit në këtë sekretariat janë të diskriminuar skajshmërish. Nuk përjashtohen as rastet kur ata marrin pagë duke mos qenë fare në vendin e tyre të punës, gjë që nuk ndodh në asnjë administratë të shteteve evropiane.

Në programin parazgjedhor të kësaj partie thuhet se vetëm një administrate e shpejtë, transparente, mirë të organizuar dhe e thjeshtë mund të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve.

Për të arritur në një administrate më efikase dhe efektive, patjetër duhet të bëhet depolitizimi dhe profesionalizimi i saj, por duhet të bëhet edhe rritja e pagave, vlerësimi i punës në bazë të rezultateve, kompetencës dhe efikasitetin në kryerjen e detyrave. Depolitizimi përfshin kufizimin e emërimit të të punësuarve nga funksionarët politikë, siç janë ministrat dhe zëvendësministrat.

“Rilindje me BESË” do të angazhohet për REDEFINIMIN e administratës shtetërore, e cila është në gjendje asimetrike dhe e disbalancuar, ngase përfaqësimi i garantuar i shqiptarëve me Marrëveshjen e Ohrit (me 25%) është ende i ulët dhe diskriminues. Duke u nisur nga kjo gjendje, “Rilindje me BESË” do t’i marrë përsipër këto detyrime:

Përveç tyre, “Rilindje me BESË” do të fokusohet modernizimin e administratës shtetërore dhe publike, që administrata publike të bëhet një partner për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë dhe sipërmarrësit.

BDI: Parimet e KE-së baza e reformave ne administratën publike në periudhën e  ardhshme

Partia politike shqiptarë në pushtet ka theksuar se parime të administratës publike të vendosura nga Komisioni Evropian, parime që janë baza e reformave ne administratën publike do të jenë pikat ku do të bazohen të gjitha politikat dhe aktivitetet tona në periudhën e  ardhshme në sferën e administratës publike.

“Komisioni Evropian (KE) ka forcuar fokusin e tij në reformën e administratës publike (RAP), duke  theksuar gjashtë çështjet kryesore të reformës dhe duke integruar më mirë reformën në procesin e zgjerimit përmes Grupeve të  Veçanta për Reformën e Administratës Publike dhe lidhjeve më të forta me negociatat për anëtarësim. Gjashtë fushat kryesore të reformës të përcaktuara nga Komisioni përbëjnë bazën e Parimeve të Administratës Publike, siç përshkruhet më poshtë:

Korniza strategjike e reformave në administratën publike
Zhvillimi dhe koordinimi i politikave
Shërbimi publik dhe menaxhimi me burimet njerëzore
Llogaridhënia
Ofrimi i shërbimeve
Menaxhimi i shërbimeve publike

Këto parime të administratës publike të vendosura nga Komisioni Evropian, parime që janë baza e reformave ne administratën publike do të jenë pikat ku do të bazohen të gjitha politikat dhe aktivitetet tona në periudhën e  ardhshme në sferën e administratës publike”, thuhet në platformën e BDI-së.

VMRO: Do të vazhdojnë reformat që kanë për qëllim sigurimin e administratës publike funksionale

Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPME në platformën e saj premton se në periudhën e ardhshme, qeveria e udhëhequr nga kjo parti do të vazhdojë politikën e rritjes së pagave në sektorin publik si dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik do të vazhdojnë reformat që kanë për qëllim sigurimin e administratës publike funksionale dhe të shërbimit të orientuar.

“Qeveria ka marrë masa dhe veprime konkrete për të përmirësuar kushtet e punës të të punësuarve në sektorin publik për përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit duke përmirësuar efektivitetin e administratës publike.

Janë miratuar tre ligje sistemore (Ligji për nëpunës administrative, Ligji për punonjësit e sektorit publik dhe Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative) dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në drejtim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve publike. Këto ligje, të marra në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe vendas, përbëjnë themelin mbi të cilin do të ndërtohet sistemi i brendshëm administrativ.

Megjithatë, procesi i reformave është një proces i vazhdueshëm. Prandaj, në bazë të këtij programi janë propozuar projekte konkrete dhe masa që synojnë arritjen e interesave të të gjitha palëve të interesuara, në mënyrë që Maqedonia të ketë një sektor publik që punon për qytetarët dhe të ardhmen e tyre më të mirë. Tërësia e masave të përfshira në këtë program është vazhdimësi e punës së VMRO-DPMNE-së, në radhë të parë duke marrë parasysh praktikat më të mira nga përvojat evropiane dhe globale”, thuhet në platformën e VMRO-së.

LSDM: Kriterium kryesor për punësim në administratë nuk do të jetë libreza partiake

Në dhjetë vitet e fundit, administrata publike në vend është vënë në shërbim të kuadrove të partisë dhe sistemit qeveritar të korruptuar. Kjo krijoi një administratë publike tërësisht të politizuar, e cila cilësohet si e paaftë dhe joefikase, vlerëson LSDM.

“Administrata këtu përparon vetëm në merita partiake. Vlerësimi është bërë një mjet për ruajtjen e disiplinës politike dhe dënimin e administratorëve të partisë. Në  Administrata sundon një gjendje e frikës, bindjes dhe apatisë.

Një nga sekretet më të ruajtura të Maqedonisë është numri i përgjithshëm i të punësuarve në administratën publike. Në fillim të vitit, Ministria për shoqëri informative dhe administratë doli me numrin i cili nuk kapte gjithë administratën. Problem kryesor vazhdon të jetë ai që mijëra të punësuar në administratë marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë.

Ne do të punojmë në krijimin e administratës efikase e cila do të sigurojë shërbime kualitative për qytetarët, gjithashtu premtojmë transparencë dhe administratë për qytetarët dhe jo për partitë.

Kriterium kryesor për punësim nuk do të jetë libreza partiake, por aftësia dhe kompetenca e të punësuarve. Administratorët nuk do të largohen nga puna, por do të bëhet analizë e gjendjes së administratës dhe një riorganizim i saj me qëllim që të rritet kualiteti i shërbimeve për qytetarët

Reformat nuk do të jenë të pamenduara dhe kaotike, por do të jenë të bazuara në strategji të reja për reforma në administratë e cila do të miratohet nga ana e Parlamentit. Shtesë do të bëjmë edhe Qendër për analizë dhe vlerësimin e politikave publike e cila do të propozojë metoda të reja për përmirësimin e punës në institucione dhe administratë”, thuhet në platformën e LSDM-së

Aleanca për Shqiptarët: Platforma jonë politike do arrijë ta depolitizojë administratën shtetërore

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ekziston politizimi i skajshëm i Administratës Shtetërore, i cili mbetet një njollë e zezë për vetë institucionet e shtetit, ku shumica e administratorëve janë në shërbim të vetë partive në pushtet, dhe jo në shërbimin efikas të qytetarëve.

“Platforma jonë politike do arrijë ta depolitizojë administratën shtetërore dhe ta sistemojë që në mënyrë më efikase të punojë”, premtojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat