Thaçi: Pas partive të vogla qëndrojnë maqedonasit

Maqedonia

Thaçi: Pas partive të vogla qëndrojnë maqedonasit

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 18:12
Menduh Thaçi

Në një intervistë për gazetën “Koha“, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, përveç flet për fushatën parazgjedhore, ofertën e partisë së tij për shqiptarët si dhe si e sheh ardhmërinë e shtetit.

Ai mes të tjerash thekson se, pa ndryshimin e emrit, Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s, ndërsa potencon se maqedonasit këtë duhet ta kuptojnë sa më parë, transmeton “Aktuale”.

Thaçi ka folur gjithashtu, edhe për aferën e përgjimeve, rastin e Kumanovës, si dhe problematika të tjera.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit mund t’i ketë të gjitha të këqijat, por ka një të mirë.

“Fryma e Marrëveshjes së Ohrit është metodologjia e punës që ne duhet të punojmë. Mirëpo, Marrëveshja e Ohrit, tashmë 15 vjet, tregoi se nuk mund të realizohet. Me fajin e kujt? Po ta them këtë, prapë do të thonë se flet partiakisht. 

Kjo u tregua racionalisht se nuk funksionon. Ne duhet në Kushtetutë t’i ndërrojmë disa gjëra shumë të thjeshta. Mos të shkruhet “ata që janë mbi 20 për qind”, por të shkruhet “shqiptarë”.

Kjo nëse bëhet, atëherë është e qartë se ky shtet, të gjitha vendimet nëpërmjet të një sistemi juridiko-kushtetues të ndryshuar duhet t’i sjellë nëpërmjet vetes së dytë, shqiptarë – maqedonas…”, ka thënë Thaçi.

Kreu i PDSH-së mes të tjerash ka folur edhe për shpërndarjen e votës shqiptareqë do të ndodhë në këto zgjedhje. 

“Na e bëjnë të tjerët. Maqedonasit. Ky është projekti i radhës… Më vjen keq. Nuk duhet të preket askush. Ndoshta dikush ka vetëdije në këtë projekt, prej këtyre partive të vogla.

Por ju jeni dëshmitarë se ky film luan pandërprerë. Përgatitet një palë zgjedhje opozita ta mundë BDI-në, del një parti. Zgjedhjet e tjera, prapë një parti. 

Kjo racionalisht është kundër opozitës shqiptare. Mendoj unë. Ndoshta ata mund të thonë, por racionalisht është kundër opozitës shqiptare dhe racionalisht e parandalon fitoren e vërtetë të opozitës shqiptare. 

Unë e kam thënë se nuk kemi të drejtë askujt t’ia ndalojmë të merret me politikë, të angazhohet, dhe ajo është vlerë e demokracisë, por racionalisht këta i shërbejnë maqedonasve…”, ka thënë Thaçi për gazetën në fjalë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat