Kallajxhiev: Vazhdojnë obstruksionet ndaj PSP-së

Maqedonia

Kallajxhiev: Vazhdojnë obstruksionet ndaj PSP-së

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 18:02
Gordan Kalajxhiev

Sipas ekspertëve, vendimi i Këshillit Gjyqësor pranë Gjykatës Themelore – Shkupi 1, për ta refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale Publike për qasje në serverët e “Telokomit të Maqedonisë”, është vetëm një prej obstruksioneve të shumta, që institucionet i bëjnë ndaj kësaj Prokurorie.

Profesori universitar Gordan Kalajxhiev, thotë se refuzimi i Gjykatës Themelore – Shkupi 1, për të urdhëruar qasje në sistemet kompjuterike të një prej operatorëve telefonikë në Maqedoni, praktikisht paraqet pengesë ndaj drejtësisë.

“Është e qartë se këtu më pak ndikim ka e drejta dhe faktet, ndërsa më shumë ndikim ka politika por edhe interesa të caktuara. Shohim se disa prej rasteve që një kohë të gjatë Gjykata i refuzon, u jepen gjykatësve të njëjtë, të cilët janë nën ndikimin e kryetarit të Gjykatës”, u shpreh për TV21, Gordan Kallajxhiev, profesor universitar.

Sipas avokatit Janaki Mitrovski, veprimet e këtilla të Gjykatës Themelore, e çojnë PPS-në në një qorrsokak ligjor.

“Në këtë moment për fat të keq nuk kanë opsion tjetër dhe këtu përsëri paraqitet nevoja për themelimin e një departamenti të veçantë gjyqësor. Kjo është edhe lëshimi kryesor në Marrëveshjen e Përzhinës”, tha Janaki Mitrovski, avokat.

Në kumtesën e djeshme të PSP-së, shkruan se Gjykata e ka refuzuar kërkesën, me arsyetim se e njëjta ka qenë e paqartë dhe joprecize, edhe pse siç thonë nga Prokuroria, është theksuar qartë se kërkohen të dhënat kompjuterike të ruajtura në serverët e operatorit.

Nga ana tjetër, nga “Telekomi i Maqedonisë” muajin e kaluar thanë se me kohë u janë përgjigjur të gjitha kërkesave të PSP-së dhe se gjatë hetimit mbeten të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me institucionet kompetente.

Me reagim të ngjashëm doli edhe “Deutsche Telekom”. Ata thonë se sipas informatave që kanë, kolegët maqedonas plotësisht bashkëpunojnë me organet shtetërore në mbështetje të hetimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat