Fotografohet dhe blihet vota/ Akuzat dhe parregullsitë e zgjedhjeve në Maqedoni, 2 të arrestuar

Maqedonia

Fotografohet dhe blihet vota/ Akuzat dhe parregullsitë e zgjedhjeve në Maqedoni, 2 të arrestuar

Më: 11 dhjetor 2016 Në ora: 15:54
Qendër votimi

Maqedonia po mban sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga viti 2014, e veçanërisht pas skandalit të përgjimeve që lëkundi stabilitetin e këtij shteti.

Por ndërkohë që procesi i votimit vijon, nuk mungojnë as akuzat për blerje dhe fotografim të votës.
Kështu, policia flet për dy raste të tentimit të blerjes së votave në Strumicë dhe Koçan, ndërsa ka arrestuar disa votues që fotografonin votën

Ministria e Punëve të Brendshme në një konferencë për shtyp për të njoftuar qytetarët rreth parregullsive të regjistruara nga ora 7.00 deri në orën 12.00.

Në Shkup, te vendvotimi shkolla e mesme Koco Racin 08.25, një person është parë duke fotografuar votën dhe është arrestuar.

Në Gjorçe Petrov është arrestuar një person për shkak të fotografimit të fletëvotimit. Kjo ka bërë ndërprerje të votimit nga ora 8 e 25 deri në ora 8 e 35 të mëngjesit.

Në Draçevë është zbuluar një furgon që ka bartur votues të komunitetit rom, në emër të një partie politike.

Në Strugë është vërejtur një burrë i dehur në vendvotimin e shkollës Josip Broz Tito, që ka penguar procesin zgjedhor. Me ardhjen e policisë, ai është neutralizuar. Ai kishte alkool në gjak 3.64 promila, një nivel i lartë.

Gjithashtu në vendvotimin e shkollës Petar Zdrakovski Penko, pak përpara fillimit të votimit, ndokush ka shkruar me grafit 100 metra larg shkollës VOTONI BDI dhe numrin 3. Policia ka nisur procedimin penal, për gjetjen e autorëve.

Kujtojmë se në Maqedoni të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë shtetas, të cilët pritet të zgjedhin 120 deputetët e rinj të Kuvnedit të Maqedonisë, mes 11 partive dhe koalicioneve partiake që janë në garë, ku nuk mungojnë as sublejtet shqiptare: VMRO DPMNE, LSDM, BDI, PDSH, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët. Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat