Partitë shqiptare në Maqedoni s'mund ta mbajnë fjalën e dhënë para votuesve

Maqedonia

Partitë shqiptare në Maqedoni s'mund ta mbajnë fjalën e dhënë para votuesve

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 18:18
Ilustrim

Partitë shqiptare të Maqedonisë do ta kenë të vështirë të realizojnë premtimet e tyre kryesore që kanë të bëjnë me avancimin e çështjes kombëtare, pasi të njëjtat nuk mund të miratohen në Kuvend pa u siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, analizon Alsat-M.

Në një situatë të tillë ekspertët juridikë u sugjerojnë subjekteve shqiptare të pyesin veten nëse ia vlen apo jo të bëhen pjesë e një qeverie jostabile.

Pavarësisht se cilën parti maqedonase do të zgjedhin për të formuar qeverinë e re, subjektet shqiptare do ta kenë të vështirë të përmbushin pikat kryesore të platformave elektorale që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, vendimmarrjen konsensuale, pavarësinë e gjyqësorit dhe zhbllokimin e procesit të integrimit.

Një nga kërkesat e BDI-së për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme është vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale, për çka nevojitet miratimi nga 81 deputet apo 2/3 e votave në Kuvend. Por mazhoranca e re nuk mund të sigurojë më shumë se 71 vota në përbërjen e re parlamentare edhe në rast se partitë shqiptare bashkojnë 20 mandatet me cilëndo nga subjektet maqedonase VMRO-DPMNE me 51 aso LSDM-në me 49 deputetë. Në këtë situatë ekspertët juridikë propozojnë që subjektet shqiptare të mos përfshihen në qeveri të paqëndrueshme.

“Partitë politike shqiptare nuk kanë çfarë hyjnë në qeveri të brishta, të pasigurta por më mirë është të marrin përgjegjësinë për qeveri të zgjeruar me definimin e detyrave për një apo dy vite ajo qeveri, duke vënë në kalendar edhe çështjet shqiptarë por ndryshimet kushtetuese duhet të mbeten për më vonë”, tha profesori i së drejtës kushtetuese, Bajram Pollozhani.

Edhe ish kryetari i Kuvendi Stojan Andov vlerëson se partitë shqiptare do ta kenë të vështirë të përmbushin premtimet parazgjedhore, pasi shumë prej tyre kërkojnë miratimin e 2/3 të deputetëve ne Kuvend. Megjithatë, ai thotë se subjektet maqedonase duhet të tregojnë mirëkuptim për kërkesat e shqiptarëve që kanë të bëjnë me avancimin e statusit të tyre.

“Nuk mund të realizohen ato kërkesa sepse njëra nga partitë maqedonase që do ta formojë shumicën së bashku me partitë shqiptare nuk kanë 2/3 e votave prandaj nuk mund të bëjnë diçka në këtë drejtim. Për të realizuar kërkesat e tilla do të duhej që të gjitha partitë të kishin programe të ngjashme paraelektorale që të mund të votoheshin ligje të rëndësishme”, deklaroi Stojan Andov, ish-kryetar i Kuvendit.

Gjatë fushatës elektorale partitë shqiptare promovuan ide të shumta për avancimin e çështjes kombëtare. U përmendën formula të ndryshme për të bërë të barabartë shqiptarët me maqedonasit, siç ishte ideja për ridefinimin e vendit apo ajo për një Maqedoni binacionale, por për realizimin të gjitha këtyre premtimeve nevojiten ndryshime kushtetuese që nuk bëhen pa siguruar në kuvend shumicë të dyfishtë. Në një situatë kur rezultatet e zgjedhjeve nuk japin shumë shpresa se mund të sigurohen këto shifra, atëherë partitë shqiptare duhet të pyesin vetën nëse ia vlen apo jo të bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat