Orientimi seksual, shkak i dhunës ndaj nxënësve të moshës 15 vjeçare në Maqedoni

Maqedonia

Orientimi seksual, shkak i dhunës ndaj nxënësve të moshës 15 vjeçare në Maqedoni

Më: 12 janar 2017 Në ora: 11:09
Ilustrim

Sipas një studimi, nxënësit e moshës 15 vjeçare në Maqedoni, me orientim të theksuar homo dhe biseksual, janë shpeshherë viktima të dhunës dhe keqtrajtimit në shkollë, dhe të dhunës psiko-fizike në shtëpi.

Krahasuar me moshatarët e tyre heteroseksualë, të rinjtë e kësaj kategorie janë pothuajse pesë herë më shpesh të sulmuar dhe seksualisht të shqetësuar, duke mos pasur se ku të drejtohen. Një pjesë e madhe e tyre ballafaqohen me mirëkuptim të paktë në familje dhe mbështetje të pamjaftueshme nga ana e prindërve.

“Dhuna është dy deri tri herë më e lartë në mesin e fëmijëve. Këta fëmijë janë të ekspozuar ndaj dhunës dhe janë viktima të keqtrajtimit në shkollë por edhe në familje. Ata i ekspozohen dhunës, sharjeve, rrahjeve dhe sulmeve seksuale”, u shpreh për TV21, Lina Qostarova Unkovska, hulumtuese kryesore.

Hulumtimi tregon se nevojiten reforma sistemore në arsim, në mënyrë që të rritet vetëdija tek të rinjtë për nevojën për siguri dhe barazi në shkollë, pra në ambientin ku ata e kalojnë periudhën kyçe të zhvillimit të tyre individual.

“Klientët që vijnë te Koalicioni ynë, shpeshherë janë në moshën prej 16 deri 18 vjeç. Këta janë të rinj që janë të kyçur në procesin arsimor dhe që përjetojnë probleme dhe trauma të ndryshme në ambientin shkollor sepse janë të ndryshëm nga shumica”, tha Irena Cvetkoviq, Drejtoreshë Ekzekutive e DSSHBM.

Publikimi i studimit përmban edhe rezultatet për sjelljen seksuale, interesimet dhe mbrojtjen e të rinjve të moshës 15 vjeç. Bëhet fjalë për një hulumtim ndërkombëtar që ka të bëjë me shëndetin e fëmijëve të moshave shkollore, ndërmjet 11 dhe 15 vjeç, që zbatohet çdo të katërtin vit në 44 vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat