SIMO prish tenderin për analizën e Marrëveshjes

Maqedonia

SIMO prish tenderin për analizën e Marrëveshjes

Më: 12 janar 2017 Në ora: 16:05
Kioskat

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit prish kontratën me firmën “Kioski” duke anuluar kështu edhe gjithë tenderin për analizën e Marrëveshjes së Ohrit. Në një komunikatë me shkrim, theksohet se vetë kompania kontraktuese ka kërkuar prishjen e kontratës për shkak se nuk mundet të realizojë në kohë aktivitetet e parashikuara në kontratë.

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka shqyrtuar kërkesën e kompanisë dhe ka marrë vendim që të prishë kontratën me kompaninë fituese. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit synon që analiza, si një studim me rëndësi për përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit, të meritojë pjesëmarrje më të gjerë kompanish, përvojë më të thellë, në mënyrë që rezultati i saj të përbëjë një dokument me peshë dhe të detajuar, si udhërrëfyes për institucionet e tjera në përpjekjet e tyre për përmbushjen e marrëveshjes – thuhet në reagimin e Sekretariatit.

Përndryshe, TDS Kioski, dje hoqi dorë nga ky projekt dhe kërkoi ndërprerjen e kontratës. Reagimi i “TDS Kioski” vjen pas dyshimeve dhe akuzave të ngritura në disa media në vend lidhur me kapacitetet e “TDS-Kioski” për analizën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe organizimin e Konferencës ku do të shpalosej analiza.

Sipas Rrahim Shaqiri, kreut të “TDS- Kiosk”, shqyrtimet, kontrollet, rishikimet e procedurës tenderuese, dokumentacioneve që kërkohen nga kompania e tij, ua ka rënduar dukshëm punën, ndërsa paralajmërimet për vazhdimin e rishikimeve dhe kontrolleve të këtilla gjatë ditëve në vazhdim do të pamundësojë krejtësisht punën e tyre.

“Me këto pengesa ekziston rreziku që puna e kompanisë sonë të dështojë duke pasur parasysh kohën e shkurtër që ka ngelur deri në datën e Konferencës dhe publikimeve”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat