LSDM ende heshtë për Platformën shqiptare

Maqedonia

LSDM ende heshtë për Platformën shqiptare

Më: 13 janar 2017 Në ora: 17:37
LSDM

LSDM-ja vazhdon të heshtë lidhur me kushtet e partive shqiptare dhe Platformën e përbashkët. Partia e dytë me numër më të madh të mandateve, sot nuk deshi të komentojë as ndryshimin e qëndrimeve të BDI-së dhe reduktimin e çështjeve për të cilat partia e Ahmetit nuk pranon të negociojë me cilëndo parti nga blloku maqedonas për formimin e qeverisë së re.

Socialdemokratët mbeten në qëndrimin se ata nuk janë mandatarë dhe nuk mund të komentojnë asnjë veprim të partive të tjera. Megjithatë nënshkruesve të deklaratës së përbashkët nuk u ka tërhequr vëmendje mos përfshirja e disa pikave të kësaj platforme në mesin e çështjeve për të cilat nuk negocion BDI. Sipas Lëvizjes Besa deklarata e përbashkët nuk është shkelur, ndërsa nuk përjashtohet që e njëjta të shkelet pas marrëveshjes që BDI dhe VMRO mund të arrijnë marrëveshje për qeverinë e re.

”Ajo që bën përshtypje në këtë vendim është fakti që nuk është përmendur askund deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni. Megjithatë nuk do të paragjykojmë në këtë kohë dhe do të shohim se si do të ecin punët tutje. Nuk do të kisha thënë se është shkelur platforma. Mbase mund të përmendet në marrëveshjen qeveritare që ata do ta lidhin me VMRO-në. Do të shohim se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim” – tha për Alsat-M, Zeqirja Ibrahimi, Deputet i Lëvizjes Besa.

Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët duke mos komentuar veprimin e BDI-së dhe anashkalimin e pikave nga Platforma e përbashkët, thanë shkurt se deklarata është bazament për fillimin e negociatave me bllokun politik maqedonas.

”Aleanca për Shqiptarët vazhdon të jetë konsekuente në qëndrimet e saj. Deklarata e përbashkët e partive shqiptare për ne si Aleancë është një bazament për fillimin e negociatave me bllokun politik maqedonas” – bëjnë me dije nga Aleanca për Shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat