Nuk do të bashkohen UEJL dhe “Nënë Tereza”

Maqedonia

Nuk do të bashkohen UEJL dhe “Nënë Tereza”

Më: 15 janar 2017 Në ora: 15:04
Ilustrim

Është heshtur çështja e shkrirjes së UNT-së dhe UEJL-së. Gjendja aktuale politike ka ndikuar që qëndrimin të ndryshojnë edhe institucionet protagoniste. Media mëson jo zyrtarisht se Bordi i UEJL-së ka vendosur përfundimisht kundër shkrirjes. Nga UEJL nuk konfirmojnë qëndrimin e Bordit, por theksojnë se janë duke punuar në hartimin e planit të ri strategjik.

“UEJL mbetet në qëndrimin e njëjtë. Kjo do të thotë se Bordi tashmë është duke punuar në Planin e ri strategjik për periudhën 2017-2020. Finalizimi i këtij Plani varet në një masë edhe nga faktorë të jashtëm, duke nënkuptuar edhe vizionin e ri për arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë, i cili shpresojmë të shpaloset në periudhën e ardhshme, përfshirë këtu edhe përgatitjen e një kornize të re ligjore të arsimit të lartë. UEJL do të ketë rolin e vet për të asistuar në ri përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe shtetit, për të siguruar që struktura e sistemit të arsimit të lartë, do të punojë në favor të të rinjve dhe do të mbështesë zhvillimin ekonomik”, deklaroi Demush Bajrami, Këshilltar i Rektorit të UEJL-së.

UNT pa qëndrim. Nga ky institucion ishin të pakapshëm për të komentuar çështjen e shkrirjes së UEJL-së. Jo zyrtarisht mësohet se vetë ushtruesi i detyrës rektor, Aziz Pollozhani është kundër shkrirjes së UNT-së në UEJL. Vetë Pollozhani ishte i pakapshëm për të komentuar informacionet.
Ministri i arsimit Pishtar Lutfiu thotë se për çështjen në fjalë nuk është diskutuar më, duke shtuar se në vullnetin e dy institucioneve nuk do të ketë ndikim cila do qeveri që do të formohet.

“Këtë temë nuk e kemi diskutuar më dhe nuk ka ndonjë zhvillim sa i përket kësaj teme. Sigurisht që opsionet janë të hapura dhe kjo temë duhet të diskutohet mes dy universiteteve”, tha Pishtar Lutfiu, ministër i Arsimit.

Me themelimin e UNT-së, u hodh ideja për bashkimin e tij me UEJL-në. Megjithëse të dyja institucionet fillimisht u shprehën të hapura për një mundësi të tillë, pas kërcënimit të studentëve se do t’i tërhiqnin dokumentat, Bordi i Uejl-së miratoi vendimin e prerë që mos të bëhet shkrirja. Edhe pse një gjë e tillë nuk është realizuar, UNT vazhdon të shfrytëzojë hapësirat e UEJL-së për një pjesë të programeve studimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat