Negociatat e panisura për Qeverinë e re në Maqedoni

Maqedonia

Negociatat e panisura për Qeverinë e re në Maqedoni

Më: 16 janar 2017 Në ora: 10:19
Kuvendi i Maqedonisë

Nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të formimit të Qeverisë së re maqedonase nga ana e mandatarit Nikolla Gruevski.

Mandatin për formimin e shumicës Gruevski e mori një javë më parë por kushtet e vendosura nga partitë politike shqiptare dhe së fundmi nga BDI-ja, e kanë vështirësuar marrjen e nismës nga Gruevski për të ftuar Ahmetin në tryezën e negociatave. Në konferencën për shtyp të VMRO-DPMNE-së refuzuan të përgjigjen në këtë pyetje.

“Mendoj se për këto pyetje duhet të ju përgjigjet një njeri tjetër dhe në vend tjetër. Këtu jemi për të lexuar vetëm këtë si komunikatë kurse nëse keni nevojë për të bërë pyetje të tilla, për mandatarin dhe të tjera, këto janë dimensione të tjera, varet kush si i kupton”, deklaroi Kërsto Jovanovski.

Nga partia e Ahmetit konfirmuan se nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të negociatave.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Verita”, ministri i Jashtëm nga radhët e VMRO-DPMNE-së Nikolla Popovski, ka deklaruar se pas zgjedhjeve, synimi i tyre është një vend i qëndrueshëm dhe integrimi në BE dhe NATO.

Ai nuk saktëson se çfarë mund të ndodhë gjatë procesit të formimit të Qeverisë por thotë se zgjedhjet dëshmuan që vendi mund t’ia dalë vetë, pa ndërhyrje të jashtme.

“Deri në fund të muajit do të përballemi me ditë të cilat janë vendimtare për vendin tonë. Jemi të gatshëm të dalim nga kjo më stabil dhe më të fortë. Një kohë të gjatë kemi qenë nën tutorime. Përjetuam presione që sollën rënien e qeverisë paraprake. Por, besoj që në fund treguam se arritëm zgjidhje të pranueshme për qytetarët maqedonas. I bëmë zgjedhjet sepse ja dolëm vetë. Kurse kjo është sipas thënies: nëse ke problem, mos prit që dikush tjetër të t’I zgjidhë. Tani në korniza të drejtimit për të cilin kemi rënë dakord do të arrijmë të dëshmojmë që jemi stabil. Qëllimi jonë është të hymë në BE dhe NATO”, tha për gazetën italiane Nikolla Popovski, ministër i Jashtëm.

Pas marrjes së mandatit, nga VMRO-DPMNE konfirmuan se BDI-ja do të jetë e partia e parë me të cilën do të nisin negociata për të formuar Qeverinë, por më vonë shprehën hapur pakënaqësitë për Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.

Kur BDI-ja i cilësoi si të panegociueshme zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe, zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesin e euro-integrimeve, VMRO-DPMNE-ja kategorikisht kundërshtoi dy të parat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat