Qeveria e re në Maqedoni, bisedimet pritet të fillojnë brenda javës

Maqedonia

Qeveria e re në Maqedoni, bisedimet pritet të fillojnë brenda javës

Më: 16 janar 2017 Në ora: 15:48
Objekti i Qeverisë

Edhe në ditën e tetë pas marrjes së mandatit, VMRO-DPMNE dhe BDI zyrtarisht nuk janë ulur në tryezën e negociatave për formimin e Qeverisë së re por që të dy partitë, kanë konfirmuar se kjo pritet të ndodhë brenda javës.

Megjithatë ata vazhdojnë të këmbëngulin në qëndrimet e tyre, partia e Ahmetit thotë se nuk heq dorë nga tre kushtet e panegociueshme kurse ajo e Gruevskit vazhdon ti i refuzojë kategorikisht ato.

“BDI ka përcaktuar agjendën e saj të bisedimeve, e bazuar në deklaratën e partive politike shqiptare, platformën e BDI-së dhe vendimet e kryesisë qendrore dhe pritet që brenda kësaj jave të fillojnë bisedimet”, njoftojnë nga BDI.

Përderisa BDI kërkon përdorim të barabartë zyrtar të gjuhës shqipe dhe zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale, funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së gjatë një paraqitje maratonë të dielën në media, njëzëri deklaruan se këto kërkesa janë të papranueshme për partinë e tyre.

Antonio Milloshovski për Kanal 5 tha se këto qëndrime të kundërta, mund të jenë faktor që do të vështirësojnë procesin.

“Nuk planifikojmë që të formojmë Qeveri me çdo kusht. Veçanërisht jo për dy çështje kyçe, e para ndryshimi i Kushtetutës; nuk do ta ndryshojmë Kushtetutën me asnjë kusht, veçanërisht jo nëse bëhet fjalë për përfshirjen e dygjuhësisë në të gjithë territorin. Ne nuk kemi mandat nga qytetarët ta bëjmë këtë. E dyta është Prokuroria Speciale Publike e cila gjatë javës së kaluar dëshmoi se sa është e politizuar”, u shpreh Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Ish kreu i parlamentit Trajko Veljanovski për Televizionin Sitel tha se shpreson që dy partitë do të mbyllin të gjitha pikat nga data 23 deri 29 janar kur edhe përfundon afati i Gruevskit për formimin e qeverisë.

Pas 23 janarit, Veljanovski tha se Kuvendi do të vazhdojë punën ndërsa do të zgjidhet kryeparlamentari i ri.

Partitë nuk bëjnë të ditur, nëse brenda organeve të tyre partiake kanë diskutuar për emrat që do të propozohen për postin e kryetarit të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat