Përgjysmohen investimet kapitale në Maqedoni

Maqedonia

Përgjysmohen investimet kapitale në Maqedoni

Më: 17 janar 2017 Në ora: 16:56
Shkupi

Viti 2016 është karakterizuar me më pak investime kapitale. Sipas të dhënave të Ministrisë së financave, qeveria gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar vetëm 226.2 milion euro për investime që duhet ta zhvillojnë ekonominë ose vetëm 64% të shumës së përgjithshme të planifikuar për tërë vitin. Sipas ekonomistëve, dështimi është edhe më i madh nëse merret parasysh se vitin e kaluar në dy rishikimet e buxhetit, dy herë zvogëloheshin shpenzimet kapitale.

“Çdo vit fillohet në mënyrë bombastike me investime më të larta kapitale deri tani, ndërsa në fund asgjë, përfundojnë në mënyrë të pasuksesshme. Nuk e di për kë rrëfehen përrallat e tilla se gjithmonë do të jenë më të mëdhatë deri më tani, kur të gjithë që e planifikojnë buxhetin e dinë se kjo nuk mund të realizohet meqë pjesa e të ardhurave të buxhetit është e dobët. Që të kemi aq shpenzime kapitale duhet doemos të kemi të ardhura më të mëdha buxhetore”, tha për Alsat-M, Pavle Gacov, ekspert tatimor.

Një pjesë e ekonomistëve bëjnë të ditur se dështimi i investimeve kapitale dëmton ekonominë, meqë ato janë komponenti kryesor zhvillimor. Arsyen për dështimin e drejtojnë në krizën politike dhe mënyrën me të cilën bëhen rishikimet, ku gjithmonë shkurtohet në shpenzimet kapitale.

“Duhet të ketë ndryshime në programimin buxhetor, veçanërisht në pjesën e investimeve kapitale të cilat janë afatgjate dhe mundet në fillim të vitit me programim të mirë të dihet se sa prej tyre është e mundshme të realizohen gjatë vitit”, u shpreh Marijan Petreski, profesor universitar.

Vitin e kaluar dy rishikimet, shpenzimet kapitale janë zvogëluar dy herë. Fillimisht , me buxhetin e vitit 2016, ishin planifikuar 412 milion euro, më pas me rishikimin e parë u zvogëlua në 366.6 milion euro, ndërsa me rishikimin e dytë në mënyrë plotësuese u zvogëluan në 363 milion euro.

Por, sivjet sërish për shpenzime kapitale është planifikuar një shumë e lartë prej 438.2 milion euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat