Lufta e dytë e Ali Ahmetit

Maqedonia

Lufta e dytë e Ali Ahmetit

Nga: Alfred Lela Më: 18 janar 2017 Në ora: 18:39
Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, po shfaqet këmbëngulës në negociatat me liderin e VMRO-DPMNE Nikola Gruevski, nga të cilat do të përcaktohet, ka gjasa, jo vetëm fati i Gruevskit dhe Ahmetit, por edhe i shqiptarëve dhe gjithë Maqedonisë. Në njëfarë mënyre, Ali Ahmeti është duke kërkuar të firmosë një Marrëveshjet të Ohrit 2. Në një tjetër mënyrë, ai është në pozitat e atij që sapo e ka përmbyllur luftën në krye të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Kjo e sotmja është Lufta e Dytë e tij. Dy janë kërkesat e Ahmetit të cilat, duhet thënë, janë të të gjitha partive shqiptare në Maqedoni, të bashkuara më në fund me një listë kushtesh thelbësore për mbijetesën e tyre, paqen në vend, kontratën sociale me veten dhe maqedonët, por edhe integrimin e Maqedonisë në superstrukturat euroatlantike. Shefi i BDI-së i ka, me sa duket, të patjetërsueshme kërkesën për shqipen si gjuhë të dytë zyrtare në territorin e Maqedonisë, dhe njësinë apo institucionin e Prokurorit të Posaçëm. Në të dyja instancat, zoti Ahmeti është në pozita kombformuese dhe shtetformuese.

Sa i takon gjuhës shqipe, çfarë janë, në fakt, shqiptarët përveç gjuhës së tyre! A mund të jenë ata banorë dhe besnikë të Maqedonisë, pa qenë së pari banorë dhe besnikë të gjuhës së tyre? Pra, shqipja si element kombformues për shqiptarët duhet parë si njësi e tillë edhe për maqedonët. Maqedonët duhet ta kuptojnë se elementi shqiptar, subsersiv dhe i pakënaqur, apo axhenda e përfolur për t’i shtyrë shqiptarët në kufijtë e ashpër të islamizimit dhe të radikalizimit fetar, duke i etiketuar të tillë edhe pa qenë, nuk bën gjë tjetër veçse kurdis një minë, shpërthimi i së cilës hedh në erë vetë Maqedoninë. Prandaj, Gruevksi dhe partia e tij duhet ta shohin këmbënguljen e Ahmetit dhe partive shqiptare si thelbësore edhe për ekzistencën e tyre.

(Sa kohë që ata nuk duan një Maqedoni federale apo një Maqedoni të ndarë, në të dyja rastet shumë e vogël). E simbolikës shtetformuese është edhe kërkesa apo kushti i dytë i Ahmetit, Prokurori Special. Edhe pse duket si një lloj kërkese që mund të ketë efekt boomerang, (Ahmeti ka qenë partner në qeveritë e dyshuara të Gruevskit), pikërisht përballë kësaj gjase merr kredite edhe kushtëzimi i tij. Kreu i BDI-së është gati që të skanohet edhe vetë bashkë me të tijtë. Më mirë do të ishte nëse ai është i sigurt për pastërtinë e vet, dhe më keq për Gruevskin, nëse nuk lëshon pe pikërisht prej frikës se vetë nuk është i tillë. Ali Ahmeti është në një takim me historinë, në kufijtë e së cilës u fut një herë në vitin 2001.

Ishte ai një prej atyre që morën armët, duke e detyruar situatën politike të shtyhej drejt Marrëveshjes së Ohrit. Koalicionet e njëpasnjëshme me nacionalistët maqedonë u siguruan atyre dhe vetes pushtetin, por jo edhe respektimin e atij pakti. Shqipja vazhdon të shihet si gjuhë minoritare, ndërkohë që shqiptarët janë partnerë në shtetformimin e Maqedonisë. Ahmetit i shkon këmbëngulja, edhe në favor të një rishpikjeje politike. Partisë së tij i duhet një kauzë për ta nxjerrë nga impasi ku e futën zgjedhjet e fundit, të cilat e panë formacionin e tij të gjysmohej. Gjërat, megjithatë, nuk janë aq të lehta sa në letër dhe në tekst. Një e panjohur e madhe mbetet pozicionimi i administratës së presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

Duket se ai, krejt ndryshe nga paraardhësit, nuk është as atlanticist dhe as europianist. Në një intervistë për “The Times” të Londrës dhe “Bild” të Berlinit, ai ka shprehur skepticizëm për NATO-n, duke e konsideruar një “gjë të vjetër” dhe ka parashikuar apo frymë- zuar një “hemorragji” të re europiane pas përshëndetjes që i bëri, për të disatën herë, Brexit-it. Për Maqedoninë, kjo do të thotë shumë. Nëse Amerika, partneri i madh i shqiptarëve, e braktis kursin proatlanticist dhe proeuropianist, cila është e ardhmja për shqiptarët dhe Maqedoninë.

Integrimi në dy ndër superstrukturat më të mëdha botërore bie si vlerë dhe gjeopolitikë. Maqedonisë i hapet një tjetër perspektivë dhe Rusia është gjithmonë aty për t’u konturuar si e tillë. Shqiptarët ua fillojnë të gjitha perspektivave nga gjuha e tyre. Ali Ahmeti nuk duhet të dorëzohet para kërkesës për zanafillë të popullit të vet. Jo kësaj here. Jo edhe një herë të dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat