Specialja rikthehet me “Tankun” e Gruevskit

Maqedonia

Specialja rikthehet me “Tankun” e Gruevskit

Më: 24 janar 2017 Në ora: 17:49
Nikola Gruevski

Prokuroria Speciale në Maqedoni është duke hetuar dëshirën personale të ish kryeministrit Nikola Gruevski për blerjen e automobilit luksoz Mercedes. Edhe zyrtarisht ekipi i Katica Janevës sot njoftoi se hetimi për automobilin prej rreth 600 mijë eurove zhvillohet nën emrin “Tanku”.

Specialja në këtë lëndë ngarkon dy persona, të cilët kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin. Ata kanë favorizuar kompaninë e cila është dashur ta merr automobilin në kushte kur Ministria e Brendshme ka pasur fuqi të ulur ekonomike dhe blerëse. Ekziston dyshimi se i dyshuari i dytë, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm për privilegjimin joligjor të kompanisë ka marrë vendim që e njëjta të përzgjidhet.

“Në rastin konkret, ekziston dyshimi i bazuar se për ta përmbushur dëshirën e kryeministrit të atëhershëm për blerjen e një modeli special të automobilit, e dyshuara e parë ka nxitur të dyshuarin e dytë ta përdorë pozitën zyrtare dhe autorizimin dhe gjatë kryerjes së furnizimeve publike, në mënyrë joligjore të autorizoj- favorizoj një operator të caktuar ekonomik dhe të merret automobili i këtij lloji “,thonë nga Prokuroria Speciale.

Dëshira e ish kryeministrit Nikola Gruevski për blerjen e automobilit luksoz prej mbi gjysmë milion euro, e publikoi LSDM përmes bombave. Opozita pohonte se automobili Mercedes është ide e Gruevskit, ndërsa dëshirën në mënyrë të përsosur ia ka plotësuar ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulovska.

Bomba

N.G: Ato prospekte që mi le, të kujtohet.

G.J: Po, po… tu them të drejtën nuk u bëja presion, por…

N.G: Ajo me shkronjën M… me shkronjën M

G.J: Epo dakord, mirë…

N.G: Të mos flas tani kështu…

G.J: Po, po… e di e di, saktë… nëse ka mundësi të ma ktheni prospektin që ta bëjmë siç duhet, të mos gabojmë diç…

N.G: E kam para meje, dy të tjerat nuk di ku janë… ato nuk të duhet ty.

G.J: Nuk më duhen, ai që duhet është tek ju… hahaha.

N.G: Po… i pashë që të tre pasi këtë e veçova, vazhdo me atë, do të shohësh çfarë duhet, le të jetë i pakryer…

G.J: Po de… për këtë të shoh saktë që çdo gjë të jetë siç duhet ha ha… ma dërgoni ju…

N.G: Dhe e kam të rëndësishme mbrapa, mbrapa të ketë ekrane… që kur të vozitem me të vegjlit…

Ish kryeministri Nikola Gruevski, blerjen e Mercedesit luksoz pas publikimit të bombave të LSDM-së, e arsyetoi me faktin se do të përdoret për vozitjen e mysafirëve të lartë që do ta vizitojnë Maqedoninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat