Bllokohen një pjesë e “bombave” në Youtube, shkaku i shkeljes së të drejtave autoriale

Maqedonia

Bllokohen një pjesë e “bombave” në Youtube, shkaku i shkeljes së të drejtave autoriale

Më: 24 janar 2017 Në ora: 19:01
Ilustrim

Disa “bomba” të opozitës tanimë disa ditë nuk mund të dëgjohen në “YouTube”. Në shumicën e materialeve dëgjohet zëri i ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe zëri i funksionarëve të OBRM-PDUKM-së. TV 21 e kontaktoi LSDM-së, të cilët i publikuan materialet e përgjuara, por nga kjo parti thonë se i kanë të gjitha 36 videot në ueb faqen e tyre me titull “E vërteta për Maqedoninë”.

Njohësit e kësaj çështjeje, thonë se çdo person mund të dorëzojë padi për largimin e këtyre përmbajtjeve. Nga ana tjetër, ai që e ka publikuar videon, nëse nuk pajtohet me arsyen e largimit të videos nga administratorët e kanalit YouTube, atëherë mund të nis proces gjyqësor.

„YouTube si platformë, në pajtueshmëri me Digital corporate act është e obliguar të veprojë pas denoncimeve të këtilla. Publikuesi i videos, mund të kërkojë të dijë se pse videoja është larguar dhe të marrë njoftim për arsyet e heqjes së videos. Në rast se vetë publikuesi nuk pajtohet me arsyet e bllokimit të videos, ai ka të drejtë që përmes gjykatës të kërkojë të zgjidhet kjo çështje”, tha Bojan Stevkovski, Menaxher në “Digital Milenium Artist”.

Për avokatin që merret me mbrojtjen e pronësisë intelektuale, Valentin Pepelugoski, këto video nuk bëjnë pjesë në të drejtat autoriale. Sipas tij “bombat” konsiderohen si materiale të interesit publik dhe prandaj duhet të jenë të qasshme për opinionin.

Nëse bëhet fjalë për dokumente publike, të cilat janë në interes të opinionit publik, për këtë përmbajtje askush nuk mund të ketë të drejta autoriale. Edhe me ligjin tonë por edhe me konventat ndërkombëtare për përmbajtje të atilla, gjegjësisht për informatat me karakter publik, askush nuk ka të drejta autoriale. Ata janë të liruar nga kjo përgjegjësi, ata janë “copy left” dhe jo copy right”, u shpreh Valentin Pepelugoski, avokat për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.

Njëkohësisht nga kanali i YouTube u hoqën edhe përmbajtje tjera ku përmendet emri i ish kryeministrit, prej autorëve të tjerë dhe mediave që i kanë publikuar videot.

Përndryshe materialet e përgjimeve të paligjshme, lideri i LSDM, Zoran Zaev ia dorëzoi PPS, e cila duhet t’i dëgjojë dhe të konstatojë se kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme. Nga LSDM thonë se janë përgjuar mbi 20 mijë persona, politikanë, funksionarë, biznesmenë, gazetarë dhe artistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat