Në SOS telefonin është kërkuar ndihmë për 111 fëmijë

Maqedonia

Në SOS telefonin është kërkuar ndihmë për 111 fëmijë

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 14:29
Konferenca e SOS-it

Shkelja e të drejtave të fëmijëve gjatë procedurave të shkurorëzimit, dhunës familjar dhe lypjes, gjegjësisht shfrytëzimit të punës së fëmijëve janë format më të shpeshta të shkeljes së të drejtave të fëmijëve të paraqitura në SOS telefonin për fëmijë dhe të rinj vitin e kaluar, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp drejtori i Ambasadës së parë për fëmijë në botë ‘Megjashi’, Dragi Zmijanac.

Në SOS telefonin në periudhën janar-dhjetor të vitit 2016 janë regjistruar 82 kontakte prej gjithsej 111 fëmijëve viktima ose viktima potenciale ku ekziston dyshimi për shkelje të mundur të të drejtave të fëmijëve dhe për të cilat duhet ndihmë e caktuar.

“Më karakteristike janë të dhënat për 33 fëmijë të cilët kanë qenë viktima potenciale për shkeljen e së drejtës gjatë procedurës së shkurorëzimit. Ka 21 paraqitje për fëmijë të cilët janë ankuar se janë viktima potencialë të dhunës familjare. Në periudhën e dhënë kemi 11 paraqitje për fëmijë të cilët lypin dhe janë viktima të eksploatimit të punës së tyre”, tha Zmijanacv.

Koordinuesja e SOS telefonit për fëmijë Angela Manevska tha se prej gjithsej 82 telefonuesve, vetëm pesë janë fëmijë, ndërsa 77 janë persona të rritur prej të cilëve tre anonimë dhe katër persona juridik, njofton AIM.

Theksoi se në këtë periudhë ka informacione për gjashtë fëmijë për të cilët ekziston dyshimi për keqpërdorim seksual nga ana e ndonjë të afërmi ose të njohuri të fëmijës, ndërsa shqetësuese është ajo se këtë vit sipas të dhënave të Ambasadës për fëmijë Megjashi ekziston edhe dyshimi për keqpërdorim seksual nga ana e fëmijëve minorenë.

Drejtori i Megjashit, gjithashtu, bëri thirrje për ndihmë nga operatorët për harmonizimin e SOS telefonit për fëmijë dhe të rinj 0800 122 22 me numrin evropian gjashtëshifror për ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve 116 111 dhe numrin 116 000.

SOS telefoni për fëmijë dhe të rinj funksionon 23 vjet dhe deri tani në të janë regjistruar gjithsej 20.537 telefonata. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat