Gruevski këmbëngul për zgjedhje të reja

Maqedonia

Gruevski këmbëngul për zgjedhje të reja

Më: 12 shkurt 2017 Në ora: 16:38
Nikolla Gruevski

VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga zgjedhjet e reja parlamentare të cilat do të mbaheshin së bashku me ato lokale. Nikolla Gruevski në paraqitjen e tij të parë publike pas dështimit për të formuar Qeverinë, porositi se i tërë procesi mund të zvarritet më shumë se gjysmë viti, derisa në fund të merret vendimi për zgjedhje të reja.

“Mund të ndodh, dy muaj, tre, gjashtë muaj e më shumë të mos formohet qeveria. Dhe në fund të gjithë të themi se duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, por i kemi humbur ato gjashtë muaj” – tha kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

Gruevski pranoi se me Ahmetin kanë zhvilluar bisedime thelbësore për gjuhën shqipe, por arsyetohet se atij i ka penguar që gjuha shqipe të jetë zyrtare në gjithë territorin.

“Diskutuam për atë që gjuha shqipe të përdoret në komunat ku jetojnë 20% shqiptarë. Por, jo vetëm shqiptarë, por edhe atje ku jetojnë të paktën 20 % e bashkësive të tjera, turq, rom, serbë, boshnjak, vlleh e të tjerë. Të gjitha bashkësitë e tjera që në disa komuna kanë më shumë se 20%, edhe ato të fitojnë diçka, nëse tashmë duhet diçka të përmirësohet ose nëse duhet të pranohet ide e re për përdorim të mëtutjeshëm të gjuhëve tjera në Maqedoni përveç maqedonishtes” – deklaroi Gruevski.

Gruevski përdori tone të ashpra ndaj një pjese të kryesisë së BDI-së- kryetarë të caktuar komunash, por pa i emëruar. Ata i porositi se duhet të frikësohen për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Disa kryetarë komunash frikësohen sesi do kalojnë në zgjedhjet lokale. Një pjesë e tyre madje duhet të frikësohen, marrë parasysh atë që kanë bërë. Nuk them për të gjithë, por vetëm për disa. Filluan koalicionet partiake dhe strategjitë e mëdha t’i vendosin në kontekst të zgjedhjeve lokale, duke besuar se nëse je kundër VMRO-së, ndërsa tani në elektoratin shqiptarë është në modë të jesh kundër VMRO-së, dhe kush është kundër VMRO-së është më modern, më fensi” – ka shtuar Gruevski.

Gruevski konfirmoi se është takuar me Ahmetin, pasi paraprakisht përmes deklaratave me shkrim iu kërcënua se në të ardhmen mund të dëbohet nga partia, nëse tani nuk e respekton parimin “fituesi me fituesin”. Megjithatë, ai nuk tregoi se çka i ka thënë Ali Ahmetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat