Qeveria e re, LSDM pret përgjigje derisa Ahmeti kërkon kohë

Maqedonia

Qeveria e re, LSDM pret përgjigje derisa Ahmeti kërkon kohë

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 16:41
Selia e Qeverisë së Maqedonisë

BDI-ja nuk do të shpejtojë në marrjen e vendimit për formimin e Qeverisë së re.

Në komunikatën e partisë së Ahmetit thuhet se pavarësisht presioneve të opinionit që sipas tyre kanë për qëllim dobësimin e BDI-së ata kanë nevojë për kohë dhe nuk do të vendosen në shërbim të asnjërës prej partive të bllokut maqedonas.

“Edhe përkundër presionit të vazhdueshëm nga opinion bërësit, BDI nuk vepron në saje të emocioneve dhe preferencave, por me racionalistet dhe të fokusuar në zotimet para qytetarëve, duke mos qenë as servis i njërës palë e as shërbëtor i palës tjetër. Vendimi i BDI-së duhet të prodhojë siguri, stabilitet, qëndrueshmëri si dhe të jetë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar sepse kemi interes dhe qëllim të përbashkët, integrimin e vendit në NATO dhe BE” kanë thënë nga BDI.

Megjithatë brenda BDI-së ka edhe zëra që kërkojnë përshpejtim të procesit dhe rivënie në funksion të institucioneve.

Nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta thotë se qytetarët presin formimin e një ekzekutivi që do të angazhohet njësoj për të gjithë qytetarët.

“Nga ajo që unë shoh dhe kontaktoj me qytetarët, qytetarët presin që sa më shpejtë vendi të dalë nga kjo krizë dhe të krijohet një qeveri e cila do jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve. Me pranimin e asaj qeverie në vendin tonë, të forcohet demokracia të vihet drejtësia në vend, të vij liria drejtësia dhe barazia në mesin e gjithë qytetarëve pa marrë parasysh se kujt komuniteti i takojnë”, ka thënë Bejta, kryetar i komunës së Gostivarit.

BDI-ja nuk është e vetmja parti që dërgon sinjale se procesi i formimit të Qeverisë mund të zgjasë.

Vetë kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski deklaroi se deri në zgjedhjen e ekzekutivit mund të kalojë edhe më shumë se gjashtë muaj.

Nga LSDM-ja disa herë janë shprehur të bindur se së shpejti do ta kenë pushtetin por tani thonë se asgjë konkrete nuk është vendosur, nuk kanë garanci për sigurimin e të paktën 61 nënshkrimeve të deptuetëve dhe nuk ka takime të planifikuara me përfaqësues të partisë së Ahmetit.

Por në opinion ka zëra se tashmë LSDM-ja ia ka dorëzuar integristëve një pjesë të materialeve të shkruara që BDI-ja kërkoi si kusht për të konkretizuar negociatat për formimin e Qeverisë.

Zyrtarisht nga BDI-ja deklarojnë se mbeten të hapura të gjitha pesë opsionet. Por me intensifikimin e negociatave mes BDI-së dhe LSDM-së, VMRO-DPMNE-ja rriti tonet kërcënuese ndaj partisë së Ahmetit, të cilës ja kujtoi rastet kur ajo ka qenë partneri i përzgjedhur i tyre.

Pavarësisht kërcënimeve nga Gruevski, jozyrtarisht mësohet se ditët e fundit është zhvilluar një takim mes Ahmetit dhe Gruevskit, që nuk ka kaluar në atmosferë të relaksuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat