Lufta brenda partiake në BDI

Maqedonia

Lufta brenda partiake në BDI

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 11:50
Bashkimi Demokratik për Integrim

Partitë politike vazhdojnë të arsyetohen për ngërçin politik, por nuk hapin rrugë drejt zgjidhjes së krizës politike. Ato mbeten të pozicionuar në qëndrimet e palëkundshme partiake. Ndërsa nga ana tjetër Bashkimi Demokratik për Integrim po zhvillon “luftë brenda partiake”,.

“Në shumë raste potencuam se PSP-ja nuk ka qenë problem në bisedimet me BDI-në për formimin e Qeverisë. Në periudhën e kaluar nëpërmjet intervistave, deklaratave dhe komunikatave njoftuam se me BDI-në në fillim u konstatuan pozita të ndryshme sa i takon PSP-së… Mbi 95% të kohës së bisedimeve ju kushtua debatit rreth kërkesës së BDI-së për zbatimin e dygjuhësisë, ku ishin edhe dallimet kryesore”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në partinë e Zoran Zaev po mbizotëron heshtja për atë se çka është e pranueshme për ta nga Platforma shqiptare. Nga aty përsërisin se do të deklarohen pasi ta marrin mandatin që duhet ta marrin nga presidenti Ivanov. Pas takimit me diplomatin Johanes Han, Zaev tha se ata nuk kanë linja të kuqe dhe se janë të hapur për bisedime. Por ja që të njëjtat edhe pse kanë filluar nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Ndryshe në partinë e Bashkimit Demokratik për Integrim protagonistët e kësaj partie janë në “luftë brenda partiake” për shkak ndryshimeve në mendime se me kë duhet të koalicionohet. Kjo vërehet në reagimin e fundit të nënkryetarit Izet Mexhiti.

“Unë nuk kam qenë dhe as nuk jam pjesë e ekipit të Bashkimit Demokratik për Integrim që negocion rreth formimit të qeverisë së re me VMRO-DPMNE. Së dyti, së bashku me dy nënkryetarët Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta, jemi mandatuar nga kryesia e BDI-së për të negociuar rreth formimit të qeverisë me LSDM-në. Së treti, unë përherë kam qenë ithtar i idesë që debatet interne partiake të mos zhvillohen nëpër media, përmes teksteve të porositura dhe “burimeve anonime. Por, meqë duhet dhënë shpjegim, e informoj opinionin se unë jam kundër koalicionit me Nikolla Gruevskin dhe kundër koalicionit me VMRO-DPMNE-në”, ka shkruar në rrjetin social facebook Mexhiti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat