Zhvillim i risive vendore përmes partneriteteve me kompanitë ndërkombëtare

Maqedonia

Zhvillim i risive vendore përmes partneriteteve me kompanitë ndërkombëtare

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 14:21
Ilustrim

Në Maqedoni ka potencial për zhvillim të inovacioneve, por sipërmarrësit duhet të synojnë drejt internacionalizimit të tyre përmes partneriteteve me kompani ndërkombëtare, konsideron Volfgang Kniejski, kryetar i Komitetit për aprovim të investimeve të Fondit të Maqedonisë për inovacione dhe zhvillim teknologjik.

Kniejski sot mbajti ligjëratë para të interesuarve për mbështetje të projekteve inovative përmes thirrjes së katërt të Fondit, që është i hapur deri më 3 maj të këtij viti, ndërsa përmes të cilit ndahen një milion e 450 mijë euro. Planifikohet mbështetja e 15 start-ap ndërmarrjeve dhe 10 projekte të ndërmarrjeve mikro, të mesme dhe të vogla për komercializim të inovacioneve.

Pjesa më e madhe e projekteve për të cilët kërkohet mbështetje nga Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik janë për inovacione nga sektori TIK.

Sipas projekteve të cilët deri tani i ka analizuar Kniejski vlerëson se në shtet ka të talentuar për inovacione me potencial jo vetëm në tregun vendor por edhe në ato të huaja.

“Këtu ka shumë të talentuar, shumë ekipe të rinjsh me ide të shkëlqyeshme dhe motivim dhe potencial jo vetëm për tregun e Maqedonisë por edhe jashtë. Hasëm projekte nga industri dhe sektorë të ndryshëm, bujqësia, mikroelektronika, ndërsa dominuese janë nga TIK”, deklaroi Kniejski.

Është e rëndësishme, potencoi, që sipërmarrësit start-apët, të mos shohin vetëm ta tejkalojnë pragun e rentabilitetit, por të synojnë drejt internacionalizimit, ndërsa jo vetëm në tregun e Maqedonisë. “Problem të tillë ka edhe në shtetet e tjera në rajon, nuk kanë resurse të mjaftueshme që të dalin në tregun evropian. Kompanitë lokale duhet të realizojnë partneritete me kompani evropiane dhe internacionale që më lehtë të mund të hyjnë në tregjet e huaja”, tha Kniejski.

Gjatë vendosjes për marrje të mbështetjes financiare përmes Fondit, shpjegoi, shikohet inovacioni lidhur me prodhimin, shërbimin dhe gjithë procesin, si dhe konkurrencën e tij në treg. Vlerësohet gjithashtu edhe ekipi, veprimi i tregut nga pikëpamja gjeografike, pozicionimi i tregut dhe qëllimi që ta lansojnë inovacionin në treg. Është shumë e rëndësishme që potenciali të dalë jashtë tregut lokal që të mund të internacionalizohet start-api ose kompania”, theksoi Kniejski.

Sipas drejtoreshës së Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjike Jasmina Popovska, sipërmarrjet në Maqedoni tanimë pranojnë se nevojitet të vendosen inovacione në biznesin e tyre, që është kyçe që të jenë më konkurrent dhe më të suksesshëm dhe të kenë perspektivë globale. “Fondi si institucion i ngjashëm me të tjerët të cilët ekzistojnë në korniza evropiane dhe më gjërë i siguron mbështetje sektorit privat pikërisht që t’i ndihmojë t’i tejkalojë barrierat për internacionalizim dhe për konkurrencë në tregjet e reja”, tha Popovska.

Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik deri tani ka ndarë një milion e 500 mijë euro për mbështetje të 37 projekteve, prej të cilëve një pjesë janë start ap dhe spin of ndërmarrje. Shtatë projekte janë të ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme të cilët zhvillojnë komercializim të inovacioneve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat