Ziadin Sela demanton takimin me Ali Ahmetin

Maqedonia

Ziadin Sela demanton takimin me Ali Ahmetin

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 13:49
Kreu i LR-PDSH-së, Ziadin Sela

Kreu i LR-PDSH-së, Ziadin Sela në një prononcim për median maqedonase ka demantuar lajmin që u plasua sot në disa media se kinse mbrëm është takuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Sela tha se pardje janë takuar grupet punuese të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lëvizjes për Reforma PDSH, por që mbrëm nuk ka pasur takim mes tij dhe z.Ahmeti.

“Nuk është aspak i vërtetë lajmi që unë mbrëm jam takuar me z. Ahmeti. Pardje ka pasur takime mes grupeve punuese të partive tona por është spekulim i pastër që mbrëm kam pasur takim me kreun e BDI-së”, është shprehur kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.

Ndryshe sot u publikua lajmi se Liderët e BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela, mbrëmë deri në orët e vona kanë pasur takim në Tetovë në të cilin është biseduar për dokumentin e LSDM-së në të cilin është i përfshirë edhe përdorimi i gjuhës shqipe, dhe nga burime të Alsat-M takimi ka zgjatur për disa orë derisa për këtë propozim janë konsultuar edhe ekspertë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat