Përplasje brenda BDI-së: revoltim nga krahu i luftës

Maqedonia

Përplasje brenda BDI-së: revoltim nga krahu i luftës

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 16:50
Ejup Alimi

Fillojnë përplasjet e brendshme në Bashkimin Demokratik për Integrim, veçmas ndërmjet krahut të luftës dhe krerëve të partisë. Deputeti i BDI-së dhe ish-ushtar i UÇK-së, Ejup Alimi ka shfaqur pakënaqësitë e tij ndaj nënkryetarëve Izet Mexhiti, Nevzat Bejta dhe Teuta Arifi. Ai ka porositur ato që mos të shëtiten nga një shtab në shtabin tjetër partiak, por të punojnë në zyrat e tyre si kryetar komunash për të cilën i ka zgjedhur populli.

“Kryetarët e komunave duhet të kthehen në zyrat e tyre e të punojnë për atë që janë zgjedhur – të qeverisin me komunat e jo të bredhin sa në një shtab e në tjetrin shtab partiak!”, kështu ka shkruar deputeti i BDI-së, Ejup Alimi në rrjetin social facebook. Ky reagim i Alimit vjen pas takimit të nënkryetarëve të BDI-së, Izet Mexhiti, Nevzat Bejta dhe Teuta Arifi me përfaqësuesit e LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët në mënyrë që të mirren vesh për një koalicion qeveritar. Mirëpo duke pasur parasysh deklaratën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhënë para disa javësh, ku thotë se asnjë takim i nënkryetarëve të BDI-së nuk bëhet pa rekomandimet e tij, i bie që deputeti Ejup Alimi në këtë rast të ketë kritikuar edhe shefin e tij, atë të partisë dhe të luftës, Ali Ahmetin. Përveç tjerash, Alimi ka paralajmëruar se Maqedonisë mund t’i ndodh skenari i njëjtë si i shtetit belg, pra të vazhdojë kriza politike pa asnjë qeveri 2-3 vite derisa të plotësohen kërkesat e shqiptarëve ndaj maqedonasve.

“Pa një barazi të plotë dhe vendimarrje konsensuale mes dy etnive shumicë në këtë shtet – nuk mund të ketë Qeveri as me njërën e as me tjetrën palë. Mund të përsëritet edhe “Rasti Belg” e vendi të ngelet pa Qeveri edhe 2 apo 3 vite deri sa të vetëdijësohen se në këtë shtet nuk mund të vazhdohet të qeveriset vetëm duke plotësur e ruajtur interesin e njërës etni”, kështu ka përfunduar statusin e tij në facebook, deputeti BDI-së, Ejup Alimi. Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që krahu i luftës në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim ka reflektuar revoltë brenda partisë. Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare ishin ish-kryetari i komunës së Tetovës, Hazbi Lika dhe kreu i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari(të dy ish ushtarë të UÇK-së) ata të cilët munguan thuajse në të gjitha tubimet e BDI-së. Nga ana tjetër kemi edhe gjeneral Gëzim Ostrenin dhe Zylfi Adilin e ashtuquajtur komandant Qufa, dy ish deputet të BDI-së, të pakënaqur nga politika e Ali Ahmetit, braktisën partinë dhe formuan një parti të re e quajtur UNITETI. Siç duket edhe Ejup Alimipo po ndjek hapat e ish-bashkëpartiakëve të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat