“Tradita” organizon Konferencë shkencore për të persekutuarit e të burgosurit politikë shqiptarë

Maqedonia

“Tradita” organizon Konferencë shkencore për të persekutuarit e të burgosurit politikë shqiptarë

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 18:10
Xhelal Zejneli dhe Selam Sulejmani

“Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë” do të jetë tema e konferencës shkencore që do të organizohet nga Shoqata për kulturë “Tradita” nga Tetova.

Këtë e bënë të ditur sot në një press-konferencë, kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani dhe kryetari i Këshillit organizativ të konferencës shkencore, profesor Xhelal Zejneli.

“Në programin e punës për këtë vit, pra për vitin 2017, për të katërtin vit me radhë do të organizojmë manifestimin kulturor “Lidhja na bashkon”, që do të mbahet në Tetovë më 10 qershor të këtij viti, me rastin e 139-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Në këtë manifestim tashmë tradicional, përpos shënimit të kësaj date historike që përfaqëson lëvizjen e fuqishme shqiptare  të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, ndarjes së Çmimit kombëtar “Ali Vishko” që  jepet për veprimtari jetësore dhe për arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare, anëtarësia e Shoqatës sonë, bashkëpunëtorët tanë, intelektualë dhe studiues të njohur nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Kosova lindore dhe nga Republika e Shqipërisë,  bashkërisht kemi vlerësuar që në kuadër të programit të manifestimit të lartpërmendur, të organizojmë konferencën shkencore me temë: “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë” - tha Selam Sulejmani.

Ai po ashtu shtoi se përmes organizimit të këtij tubimi shkencor, ne synojmë që ta ndriçojmë veprën patriotike të veprimtarëve tanë, vendosmërinë dhe guximin atdhetar e të pashoq të të gjithë atyre, të cilët, përkundër  burgosjeve, masave të egra represive të pushteteve  të ndryshme të së kaluarës, për asnjë çast nuk hoqën dorë  për arritjen e synimeve tona kombëtare.

Ndërkaq, profesor Xhelal Zejneli, kryetari i Këshillit organizativ, i prezantoi për publikun e gjerë dhe për studiuesit shkencorë, tezat e kësaj konference, siç janë:

Proceset e montuara politike ndaj atdhetarëve shqiptarë në Maqedoni në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore deri në ditët tona; Ngritja e Flamurit kombëtar në Tetovë, në vitin 1968; Demonstratat në Kosovë në vitin 1981 dhe reflektimi i tyre në trojet shqiptare në Maqedoni;

Dhuna e pushtetit  ndaj shqiptarëve në Maqedoni gjatë periudhës së pluralizmit; Represioni i pushtetit me rastin e themelimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 1994; Qëndrimi i shtetit shqiptar lidhur me politikën represive të pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni; Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ndaj dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni; Reagimi i shtypit shqiptar dhe i shtypit të huaj lidhur me politikën represive të pushtetit  ndaj shqiptarëve në Maqedoni gjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore e këndej.

Në këtë press-konferencë u tha se të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në vendin tonë meritojnë respekt të lartë. Ndaj, për këtë kategori të shoqërisë sonë, besojmë që shkenca ta thotë fjalën e saj, për të cilin qëllim organizohet kjo  konferencë shkencore.

Konferenca shkencore do t’i zhvillojë punimet në kuadër të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” që do të mbahet më 11 qershor 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat