Platformë maqedonase kundër platformës shqiptare

Maqedonia

Platformë maqedonase kundër platformës shqiptare

Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 11:37
ilustrim

Nismat për hartimin e një platforme maqedonase si kundërpërgjigje ndaj platformës së partive politike shqiptare shihet si e rrezikshme për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Përmbajtja e platformës së tillë ende nuk është publikuar por, nismëtari i saj, Partia Socialiste që është në aleancë me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit ka bërë të ditur se ajo mund të përfshijë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm, sigurinë, funksionimin e institucioneve, gjuhën, kulturën, historinë, ekonominë dhe politikën e jashtme.

Platforma siç thuhet është si “rezultat i kulminacionit të ngjarjeve të fundit dhe platformës së rrezikshme të partive shqiptare, e hartuar në Shqipërinë fqinje, me pjesëmarrjen aktive të drejtuesve të saj shtetëror”.

Kjo platformë siç thuhet më tej është “pa ndjenjën e përgjegjësisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, e inspiruar nga forca të jashtme që marrin pjesë në destabilizimin e Maqedonisë”.

Pas një ideje të tillë thuhet se qëndron VMRO DPMNE-ja edhe pse drejtuesit e partisë së Nikolla Gruevskit nuk e konfirmuar një gjë të tillë ndërsa nga LSDM-ja e Zoran Zaevit e kanë vlerësuar si “lojë të rrezikshme për të penguar me çdo mënyrë procesin e qeverisë së re nga ana e saj”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se platforma shqiptare është si pasojë e moszgjidhjes së shumë çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre në këtë vend, si çështja e gjuhës shqipe e cila edhe 25 vjet demokraci vazhdon të mos ketë statusin e gjuhës zyrtare, apo çështje tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin, simbolet kombëtare, ekonominë, vendimmarrjen konsensusle e të tjera.

Por, dalja me një platformë maqedonase sipas analistit Albert Musliu mund të prodhojë edhe platforma tjera apo hapjen e një dialogu krejt të ri maqedono-shqiptar.

“Nëse edhe pala maqedonase bën platformë maqedonase, ajo padyshim se çon në një marrëveshje negocimi të një marrëveshjeje të re maqedono-shqiptare, të tillë e kemi pasur Marrëveshjen e Ohrit. Prandaj, vlerësoj se promotorët e kësaj i kanë gabuar matematikat të cilët për hir të tensioneve në krijimin e qeverisë iniciojnë diçka të cilën nuk e kanë menduar mirë”, thotë Musliu.

Mirjana Malevska, njohëse e marrëdhënieve ndëretnike dhe profesore në Universitetin e Evropës Juglindore. Thotë se reagimi i palës maqedonase ka të bëjë para se gjithash me ndërhyrjen e Tiranës Zyrtare të hartimin e platformës shqiptare.

Ajo thotë se është e drejtë legjitime e shqiptarëve që të kërkojnë përmirësimin e statusit të tyre, por kjo të behet brenda shtetit. Edhe Malevksa platformat e dy komuniteteve i sheh të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat