Takohen në Beograd, krerët e Bashkësive Islame Maqedoni - Serbi

Maqedonia

Takohen në Beograd, krerët e Bashkësive Islame Maqedoni - Serbi

Nga: Sevdail Hyseni Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 08:46
Mytiu i Luginës së Preshevës, Nexhemdin ef. Saqipi gjatë takimit në Boegrad

Kumbara i këtyre takimeve me karakter rajonal, është Mytiu i Luginës së Preshevës, Nexhemdin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe kreator i idesë për formimin e një Unioni Ballkanik, të institucioneve fetare, për aktivitete të përbashkëta në të mirë të myslimanëve, që jetojnë në këto hapësira.

Dje, në Beograd, në vizitën e parë zyrtare të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, qëndroi Reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sylejman ef. Rexhepi me zyrtarët më të lartë të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, në mesin e të cilëve ishin edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Islamike dr Faredin Ebibi dhe drejtor i Medresesë së Shkupit.

Delegacionin nga Maqedonia e pritën Reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, Sead ef. Nasufoviq, Myftiu beogradas Mustafa ef. Jusufspahiq, Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, kryetari i Kuvendit nga Bashkësia Islame të Sanxhakut Mustafa ef. Makiq, si dhe një numër i madh i imamëve të Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi.

Në takimin e parë të delegacioneve më të larta të dy Rijaseteve, pas njohje të ndërsjellë me funksionimin dhe organizimin e dy komuniteteve islame, kanë folur, gjithashtu, për aktivitetet e përbashkëta në të mirën e të gjithë atyre myslimanëve, që jetojnë në Maqedoni dhe në Serbi.

Bashkëbiseduesit janë dakorduar në takimin e djeshëm se “ para shumë gjërave pozitive, që janë duke bërë dy bashkësitë fetare dhe të cilat janë si shembull, ekzistojnë edhe shumë probleme me të cilat ballafaqohen myslimanët e Maqedonisë dhe Serbisë", ndaj takimi shkoi në atë drejtim që të njohin cilësinë e dy bashkësive fetare dhe çfarë duhet ndërmarrë që të mund të ndërtojnë bashkëpunimin.

Tema, që ka zënë një vend të rëndësishëm në mbledhjen e djeshme, ishte dukuria e ekstremizmit, radikalizmit dhe përfaqësimin e dobët të Islamit. Prandaj, bashkëbiseduesit u pajtuan se duhet të bashkëpunojnë në harmonizimin e veprimeve sipas parimit të qasjes tradicionale të bashkësive islame, për të mësuar brezin e ri të myslimanëve në bazë të këtij parimi, që në këto anë ekziston qe 600 vjet.

Ndonëse takimi i djeshëm, më tepër ishte solemn sesa takim pune, u diskutua për bashkëpunimin konkret, në mes dy universitete dhe medreseve të dy bashkësive fetare, me shpresën se një vizitë e ndërsjellë e cila pritet në një të ardhme të shpejtë, do të sjell konkretizimin e këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, është planifikuar që në takimin e ardhshëm të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit, me të cilën do të hapet një epokë e komuniteteve fetare në Ballkan. Siç është vënë në dukje "të gjitha mbledhjet e ardhshme do të jenë të fokusuara dhe të orientuara drejt bashkëpunimit të Bashkësive Islame legale dhe legjitime”

Vlen të ceket se para takimit të Beogradit, dje, në Preshevë, për herë të parë qëndroi për një vizitë zyrtare kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Sylejman ef. Rexhepi, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Islamike dr Faredin Ebibi dhe drejtor i Medresesë së Shkupit.

Delegacionin nga Maqedonia e priti, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedion ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe z/reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, me bashkëpunëtorët e tij.

Ata gjatë këtij takimi biseduan gjerë e gjatë për gjendjen e fesë islame në Luginën e Preshevës, duke u përqendruar në unifikimin e hoxhallarëve për të mirën e myslimanëve në këtë rajon.

“Ne nuk do të lejojmë që identiteti i islamit shqiptar të bastardohet në këto anë dhe se perspektiva e Bashkësisë Islame, nuk duhet të cenohet në territorin e Luginës së Preshevës”, u shpreh për rtv “Aldi”, Sylejman ef. Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

Nikoqiri i këtij takimi, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, vlerësoi lart misionin e këtij takimi, duke siguruar mysafirët se në të ardhmen bashkëpunimet mes dy institucioneve të larta fetare, nuk do të mungojnë, por përkundrazi do të thellohen dhe intensifikohen në të mirë të qytetarëve të këtyre dy rajoneve dhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat