Çdo të dhjetën ditë tentim për vetëvrasje në Gostivar

Maqedonia

Çdo të dhjetën ditë tentim për vetëvrasje në Gostivar

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 11:09
Ilustrim

Gjatë vitin 2016 në rajonin e gjerë të Gostivarit u regjistruan 33 raste të tentimit për vetëvrasje, ndërkohë që pati edhe dy raste të vetëvrasjeve.

Adnan Xhabiri, shef i repartit të Njësisë Urgjente pranë Spitalit të Gostivari, vë në dukje që në shumicën e rasteve, tentimet për vetëflijim kanë ardhur nga gjeneratat e moshës së re.
Gati çdo të dhjetën ditë gjatë vitit që lamë pas, nga një qytetar i Gostivarit ka tentuar të vetëvritet.

Ky trend nga kompetentët shihet si situatë alarmante, ndërkohë nënvizojnë që ankthi dhe depresioni janë shkaqet që çon popullatën të ndërmerr hapa të tilla ekstrem për mohim të jetës. Gjendja paraqitet e rënduar nga fakti që në shumicën e rasteve, tentimet për vetëflijim kanë ardhur nga gjeneratat e moshës së re.

Adnan Xhabiri, shef i repartit të Njësisë Urgjente pranë Spitalit të Gostivari, thotë se dominon mosha e re që ka tentuar të ‘heq dorë’ nga jeta, kurse kjo shprehi devijuese më së tepërmi vërehet dhe është e pranishme tek gjinia femërore. “Sa i takon vitit 2016, kemi regjistruar gjithsej 33 raste, prej të cilëve 10 janë helmuar me konsumimin e barnave në sasi të madhe, pesë nga gazra të ndryshme, e tjerë. Për fat të keq dominojnë moshat e reja dhe kryesisht nga gjinia femërore. Shkaqet janë multifaktoriale, por vërejmë stresin, akthin dhe depresioni. Askush nuk është imun ndaj këtyre elementeve që përmenda”, shton Xhabiri.

Metodat që kanë përdorur këto persona për të flijuar veten janë nga më të ndryshme, prej te barnat e deri te ajo më ekstremja, prerja e damarëve. Xhabiri sqaron më tej se 33 rastet e ndodhura vitin e kaluar, kanë përfunduar me rrezik të lartë për jetë, megjithatë të gjithë këto persona jetojnë ende.

Për profesorin universitar dhe psikologun, Musa Musai, mbjellja e frikës për çdo ditë se jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë, është shkaku primar që shumë individ “dorëzohen” dhe vendosin t’i marrin jetën vetes. “Prirja apo tendenca për një akt të tillë tregon një rrezik apo alarm mbi gjendjen që paraqitet dhe e cila mund të jetë më fatale se sa lufta dhe problemet me të cilat i preokupon një shoqëri”, shprehet Musai, duke shtuar se “kushteve të vështira socio-ekonomike kur do t’ia bashkëngjisim edhe thirrjen për luftë nga zyrtarët shtetërorë, gjegjësisht nga ata të cilat deri dje kanë udhëhequr vendin, pa dyshim se rrit dozën e pasigurisë te popullata dhe çon ata në veprime të cilat janë të pafalshme nga Krijuesi.

Këtë vit, për më pak se dy muaj janë regjistruar pesë tentime vetëvrasjesh, kurse vitin që lamë pas pos tentimit u regjistruan edhe dy vetëvrasje në Gostivar. “Nuk mund ta përjashtoi edhe komponentën besimore, dhe nuk flas vetëm për Islamin. Tani flasim edhe për besime të tjera të cilat janë hyjnore dhe kanë një pjesë të shpalljeve dhe që fenomenin e vetëvrasjes e llogarisin si mëkat më i madh. Edhe ky komponent duhet të jetë në rolin e llogaritjes në gjetjen e rrugëve për ta tejkaluar këtë fenomen”, vijon Musai. Një vetëvrasje u realizua me varje, kurse vetëvrasja e dytë me hedhje nga lartësia. Shkak i të dyja rasteve ishin problemet psikike, ndërsa nga këto persona njëri ishte i gjinisë mashkullore, tjetri i gjinisë femërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat