Ligji i OBRM-së për shqipen garantonte dygjuhësi, madje disa pjesë të tij u huazuan edhe në ligjin e LSDM-së me BDI-në

Maqedonia

Ligji i OBRM-së për shqipen garantonte dygjuhësi, madje disa pjesë të tij u huazuan edhe në ligjin e LSDM-së me BDI-në

Më: 27 shkurt 2017 Në ora: 18:48
Ilustrim

Ligji për gjuhën shqipe i arritur mes LSDM-së dhe BDI-së nuk është tradhti, sikurse po i shitet qytetarëve përmes kreut të OBRM-së Nikolla Gruevski. Media mëson detajet e ligjit të shqipes nga OBRM-ja, i cili ofron jo pak përparime të shqipes në institucione, si gjatë udhëheqjes së procedurave gjyqësore, ashtu edhe deri në stemat e policisë të cilat tani OBRM-ja i mohon.

Jo vetëm kaq, por alsat zbulon edhe një të vërtetë tjetër, se pjesa më e madhe e ligjit të mëvonshëm të LSDM-BDI-së për përdorimin e shqipes në qeveri, kuvend, gjyqësor, polici, tabela kufitare etj, janë huazuar pikërisht nga ligji i OBRM-së.

Ja detajet:

Shqipja në gjyqësor

Ligji i shqipes së ofruar nga OBRM ofronte përdorimin e kësaj gjuhe në të gjitha seancat gjyqësore, edhe nëse qoftë njëri prej palëve, i akuzuari, paditësi, avokati apo gjykatësi do të ishin shqiptar në një proces gjyqësor. Të gjitha materialet do të ishin ofruar në dy gjuhë.

Shqipja në ekzekutiv e legjislativ

Materiale në dy gjuhë do të ishin ofruar edhe në Qeveri e Kuvend, ku përveç të folurës do të ishin edhe në të shkruar. Të gjitha draftet ligjore apo vendimet në qeveri, do të ishin edhe në shqip, të shkruara, ndërkohë që gjithashtu, do të merrte fund praktika e mospërdorimit të shqipes edhe në seancat qeveritare.

Shqipja në emblema

Gjuha shqipe, duke marrë në konsideratë formulimin nga amendamenti 5 i Kushtetutës, do të përdorej edhe në simbolet e uniformave blu. Emblema policore, në të gjitha rajonet ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullatës, do të ishin të shkruara në dy gjuhë!

Shqipja në tabela

ALSAT mëson se në dy gjuhë do të ishin edhe tabelat e vendkalimeve kufitare, në të gjitha rajonet me shqiptarë ku bien këto pika kalimi. Kështu, përkrah shkrimit “Republika na Makedonija” do të shkruhet edhe në shqip, “Republika e Maqedonisë”, sikurse edhe emri i pikës së kalimit kufitar.

Shqipja në dokumente

Për sa i përket dokumenteve personale, edhe në këtë ligj, për shqiptarët pasaportat apo letërnjoftimet do të jepeshin automatikisht në gjuhën e tyre të përkatësisë, duke i dhënë fund praktikës së kërkesës paraprake që cdo qytetar shqiptar bënte për t’u pajisur me dokument identifikimi.

Shqipja në kambiale

Sipas draft-ligjit që ka zbuluar ALSAT, përmbajtja nuk është aspak larg kërkesës së shqiptarëve, e artikuluar në platformën e partive shqiptare. Vetëm dygjuhësia në kartëmonedha nuk ishte parashikuar, por ama, OBRM-ja kishte menduar gjithsesi që shqipja të përdorej edhe në çeqet bankare, kambialet apo edhe letrat me vlerë, në sferën e ekonomisë.

Mekanizmat kontrollues

Edhe në ligjin e shqipes me OBRM-në, gjoba ishte nga 4 000 deri në 5 000 euro në rast të kundërvajtjes nga personat juridik, ndërkohë që 30% e kësaj vlere do të paguhej nga titullar i institucionit, si përgjegjës. Edhe në këtë ligj të OBRM-së ishte parashikuar Qendra Shtetërore e Gjuhës, e cila do të shërbente si Inspektorat për mbikëqyrjen e përdorimit të shqipes nga institucionet e tjera.

Arsyeja e mos koalicionimit – Shteti i së Drejtës

Madje, edhe pse aksioma e partisë së Ahmetit ishte barazi gjuhësore – pra zyrtarizim i shqipes me të gjitha atributet si maqedonishtja, eksponentë të BDI-së patën pranuar se ligji i ofruar nga OBRM ishte boll i mirë. E vetmja pengesë nga 5 përbetimet e BDI-së, ishte vetëm 1.

Me OBRM-PDUKM-në nuk mundëm të tejkalonim pikën 4, Shtetin e së Drejtës, në të cilën bëjnë pjesë raporti i Priebes si dhe Prokuroria Speciale. Dua të them se ky ishte i vetmi moment, që nga koha e pavarësisë së Maqedonisë deri më sot, kur nuk kishim asnjë dallim me LSDM-në dhe OBRM-në, në lidhje me çështjet etnike. Nëse deri më sot, dilema e madhe dhe problemet ka qenë për shkak të interpretimit të ndryshëm ndërmjet bllokut shqiptar dhe atij maqedonas të partive shqiptare, lidhur me mënyrën e interpretimit të nenit 5 të Kushtetutës, a është gjuha shqipe në nivel të vetëqeverisjes lokale apo shtetëror, ju them se me LSDM-në dhe me OBRM-në nuk kemi dallime mbi çështjet etnike – ka deklaruar ditë më parë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Duke marrë në konsideratë ofertën për shqipen, duket se pengesa e vetme për Gruevskin ishte Prokuroria Speciale, dhe jo shqipja sikurse tani që OBRM-ja e cilëson si tradhti dhe dëmtim të interesave shtetërore maqedonase. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat