Gjykata Supreme me standarde të dyfishta

Maqedonia

Gjykata Supreme me standarde të dyfishta

Më: 6 mars 2017 Në ora: 20:51
Gjykata Supreme

Gjykata Supreme pranoi vetëm një ankesë të gjykatësit për orarin e ri dhe risistemimin e gjykatësve nga njësia në njësi në gjykatën më të lartë në vend. Praktikisht orari mbetet i njëjtë. Gjykata Supreme në seancë të mbyllur refuzoi edhe ankesën për risistemimin edhe të gjykatëses Lidija Nedellkova, ish kryetare e kësaj gjykate. Ndryshimet që hynë në fuqi më 1 mars janë në sektorët më të rëndësishëm. U.d. kryetare e Gjykatës Supreme, Snezhana Bajllozova, si gjykatës për raste civile, do të jetë kryetare e Këshillit Penal, funksion ky të cilin e ushtronte Lidija Nedellkova. Një pjesë e kolegëve të Bajllozovës konsiderojnë se kjo e fundit ka kryer shpërdorim duke u vendosur në Këshillin penal si gjykatëse e cila gjykon procedura civile.

Bajllozova me orarin e ri do të vendosë edhe për urdhrat për ndjekjen e komunikimeve ose do të aprovojë se kush mund të ndiqet nga shteti në mënyrë të ligjshme. Edhe këtë post paraprakisht e ushtronte, Lidija Nedellkova. Një pjesë e gjykatësve të cilët u ankuan për risistemimet në Gjykatën Supreme sqarojnë se gjykata punon me standarde të dyfishta. Vetëm katër ditë më parë gjykata e njëjtë praktikisht e pezulloi orarin e gjykatësve në Gjykatën Penale. Janë pranuar shtatë prej tetë ankesave të gjykatësve nga Gjykata Themelore Shkupi 1 të cilët ishin të pakënaqur nga risistemimet. Orarin e Gjykatës Themelore Shkupi 1 e përgatiti u.d. kryetare Tatjana Mihajllova.

Orari i ri reflektoi më së shumti tek gjykatësit që pranuan një pjesë të kërkesave të Prokurorisë Speciale. Ata janë risistemuar në pozicione të reja më të ulëta. Përveç tyre, janë risistemuar edhe një pjesë e gjykatësve që e nënshkruan peticionin dërguar Këshillit gjyqësor, kundër ish-kryetarit të Penales, Vlladimir Pançevski. Gjykata Themelore Shkupi 1 përgënjeshtroi se me orarin e ri bëhet seleksionim në gjykatës të përshtatshëm dhe të papërshtatshëm. Vlerësimi se cili gjykatës do të risistemohet ka qenë i ligjshëm në duart e kryetarit të gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat