S'ndalet Ivanov, i shkruan SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë kundër platformës shqiptare

Maqedonia

S'ndalet Ivanov, i shkruan SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë kundër platformës shqiptare

Më: 7 mars 2017 Në ora: 13:37
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka kërkuar nga SHBA-të, BE-ja, NATO-ja dhe Turqia që të dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën e partive shqiptare për shkak të siç ka thënë “përmbajtjes së saj të rrezikshme për shtetin maqedon”.

Në një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump, kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov tha se dënimi i kësaj platforme është mënyra, sipas tij, më e mirë për kapërcimin e krizës politike.

Platforma shqiptare, veç tjerash parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e pranuar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila ka arritur marrëveshje koalicionimi me partitë politike shqiptare.

“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Ivanov.

“Platforma është një dokument paszgjedhor i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë”, ka shkruar Ivanov duke kërkuar gjithashtu dënimin, e siç ka thënë, përzierjes së shteteve fqinje në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Ivanov.

Letra e Ivanovit vjen pas mbledhjes së të hënës së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, të cilët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Shefja e diplomacisë Federca Mogherin bëri thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, e cila siç tha ajo mund të shndërrohet në krizë ndëretnike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat