Hahn në Shkup, pritet me protesta

Maqedonia

Hahn në Shkup, pritet me protesta

Më: 21 mars 2017 Në ora: 18:42
Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn gjatë vizitës në Maqedoni

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i shoqëruar nga eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, ka mbërritur në Shkup, në një përpjekje të re për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Hahn dhe deputetët e Parlamentit të Evropës u pritën përpara selisë së Bashkimit Evropian në Shkup me protesta nga mbështetësit e VMRO DPMNE-së të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, në kundërshtim të barazisë gjuhësore dhe koalicionit të arritur ndërmjet Lidhjes Social Demokrate me partitë politike shqiptare.

“Nuk e japim Maqedoninë. Ne kemi vetëm një shtet. Nuk do tëlejojmë të na e shqiptarizojmë shtetin", kanë brohoritur protestuesit.

Johannes Hahn ndërkaq përmes rrjetit social Twitter ka porositur Maqedoninë që të respektojë demokracinë.

“Respektoni demokracinë dhe shumicën parlamentare. Mos nxitni tensione ndëretnike”, ka theksuar Hahn në rrjetin social Twitter, pak kohë përpara se të zbriste nga avioni.

 Komisioneri I BE-së për zgjerim dhe eurodeputetët nisin të martën takimet me spektrin politik në vend për të gjetur zgjidhje për krizën e krijuar.

Por, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që refuzoi t’i ndajë mandatin liderit të Social Demokratëve, Zoran Zaev, edhe përkundër sigurimit të shumicës parlamentare, nuk do të takohet me Johannes Hahn.

Kabineti i Presidentit, ka njoftuar se Ivanov, që po qëndron për vizitë zyrtare në Hungari, do të kthehet në orët e vona të mbrëmjes që i pamundëson, siç thuhet, ‘takimin me komisionerin Hahn’.

Por, Brukseli thotë se në agjendën e Hahn është paraparë edhe takimi me presidentin.

Johannes Hahn po qëndron për herë të dytë në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor me ç`rast gjatë javës së kaluar tha se së “pari nevojitet bartja demokratike e pushtetit dhe më pas zbatimi i reformave”.

Arrihet pajtimi për Komisionin parlamentar

Ndërkohë, përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë arritur ujdinë rreth përbërjes së Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve si parakusht për caktim të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Komisionin në fjalë do ta përbëjnë 6 anëtarë të VMRO DPMNE-së, 5 anëtarë të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe me nga një anëtar do të jenë të përfaqësuara dy partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja Besa.

“Vendosëm të realizojmë një pauzë prej dy orësh që partitë politike të zhvillojnë konsultime brenda tyre, për të caktuar emrat e deputetëve që do ta përbëjnë Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në kuadër të parlamentit të Maqedonisë. Ndërkohë duhet të vendoset dhe nga cila parti do të jetë dhe kryetari i komisionit në fjalë”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Talat Xhaferi deputet I Bashkimit Demokratik për Integrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat