Milloshoski: Të organizohen zgjedhjet parlamentare së bashku me ato lokale

Maqedonia

Milloshoski: Të organizohen zgjedhjet parlamentare së bashku me ato lokale

Më: 21 mars 2017 Në ora: 23:59
Antonio Milloshoski

VMRO-DPMNE kërkon nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev që të tërhiqet nga platforma shqiptare, ose të organizohen zgjedhjet parlamentare së bashku me ato lokale.

Pas takimit të kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, si dhe me eurodeputët Ivo Vajgl, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, anëtari i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski dekaroi se në takim është theksuar se prioritet është stabiliteti politik dhe progresi ekonomik i Maqedonisë, i cili varet nga respektimi i vullnetit të shumicës së popullit maqedonas dhe i cili duhet të respektohet në Kuvend, Qeveri, në rrugë, si dhe gjithkund ku populli ka të drejtë sovrane për të vendosur.

Milloshoski bëri të ditur se Eurokomisarit Hahn dhe tre eurodeputetëve u është sugjeruar se ekzistojnë dy zgjidhje të kësaj krize politike, siç theksoi ai, LSDM të tërhiqet nga platforma shqiptare dhe zgjedhjet parlamentare të mbahen së bashku me ato lokale.

“Zgjidhja e parë e mundur është që zoti Zaev nëse dëshiron të formojë qeverinë, e njëjta të mos shantazhohet me platforma programore nga vendet e huaja. Publikisht t’i refuzojë platformat e jashtme dhe në atë rast do të ketë mundësi që me një pakicë parlamentare t’i përkushtohet projekteve, për të cilat qytetarët i votuan në zgjedhje. Ndërsa, zgjidhja e dytë e mundur është të organizohen zgjedhjet parlamentare së bashku me ato lokale në muajt e ardhshëm”, deklaroi Milloshoski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat