BE demanton LSDM-në: Nuk ka bisedime anëtarësimi për Maqedoni pa plotësim kushtesh

Maqedonia

BE demanton LSDM-në: Nuk ka bisedime anëtarësimi për Maqedoni pa plotësim kushtesh

Më: 25 mars 2017 Në ora: 11:51
Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiç

Zyrtarë të Bashkimit Evropian e kanë demantuar LSDM-së, duke thënë se blloku evropian nuk e ka ndërmend që të hap bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë pa u përmbushur kushtet e shumta para saj, e për të cilat përsëri do të vendosnin shtetet anëtare, e në veçanti Greqia.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Komisionit Evropian, tha për zhurnal se BE nuk e ka në plan që të hap bisedimet për kapitullin 23, i cili ka të bëjë me strukturat juridike dhe të drejtat fundamentale dhe 24, me drejtësi, liri dhe siguri, pa u përmbushur së pari kushtet e reformave, duke përkujtuar se më pastaj vendimi do të jetë përsëri në duart e vendeve anëtare, e sidomos Greqisë, e cila po e bllokon hapjen e bisedimeve tash e shumë vite për shkak të kontestit ndaj emrit kushtetues së Maqedonisë.

Kocijançiç tha se në Maqedoni duhet që të zbatohet Marrëveshja e Përzhinos dhe reforma të tjera, e sidomos ato në rend dhe ligj, në mënyrë që Komisioni Evropian (KE) të mund t’ua rekomandojë hapjen e bisedimeve shteteve anëtare të BE-së.

“Rekomandimi i Komisionit për të hapur bisedimet është i kushtëzuar me zbatimin nga vendi/autoritetet të Marrëveshjes së Përzhinos dhe Përparësitë Urgjente të Reformave. Kjo përfshinë qasjen me dështimet sistematike në fushën e rendit dhe ligjit (sikur ato që përfshihen nga këta dy kapituj)”, tha Kocijançiç për Zhurnal.mk, duke u referuar në kapitujt 23 dhe 24 për të cilat flet LSDM në komunikatën e së enjtes (23 Mars).

LSDM para dy dite shkroi në një kumtesë se kinse Bashkimi Evropian e paska për qëllim hapjen e këtyre dy kapitujve.

“Bashkimi Evropian thotë se ka qëllime pozitive me Maqedoninë për të hapur kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me drejtësi dhe siguri”, thuhet në komunikatë e LSDM-së të së enjtes.

Kjo komunikatë është befasuese deri diku, duke pasur parasysh se Greqia deri më tash nuk është parë të ketë zbutur qëndrimet e saja për të lejuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit pa u zgjidhur kontesti i emrit të Maqedonisë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Kocijançiç, duke e mohuar një parashikim të këtillë të partisë së Zoran Zaevit, më pastaj rikujtojë për Zhurnal.mk se nëse institucionet e Maqedonisë pra i përmbushin këto kushte, pra zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos ( e cila flet edhe për punën e Prokurorisë Speciale Publike) dhe reformat e tjera në fushën e rendit e ligjit, atëherë KE do të përsëriste rekomandimin e tij për hapje bisedimesh, të cilin propozim do t’ua dërgonte vendeve anëtare të BE-së, për të marrë vendim nëse mund të hapen bisedimet e anëtarësimit apo jo.

“Hapja e bisedimeve të anëtarësimit, kur këto kushte do të përmbushen, është vendim për vendet e BE-së/Këshillin (e BE-së)”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Kocijançiç, duke demantuar kështu LSDM-në.

Edhe në këtë skenar, pra sikur Maqedonia të përmbushte të gjitha kushtet e vëna nga BE, përsëri vendimi përfundimtar është në duart e Greqisë.

Greqia tash e nëntë vite po refuzon të lejojë hapjen e bisedimeve për Maqedoninë, dhe kërkon që të ndërrohet emri kushtetues i vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat